Një projektligj i propozuar në Kuvend nga deputetët Blerina Gjylameti dhe Eljo Hysko synon heqjen e gjobës prej 10 mijë lekësh që aplikohet kur qytetarët nuk deklarojnë vendbanimin e saktë të gjendjes civile brenda 30 ditëve nga ndryshimi i tij.
Parashikimi i këtij sanksioni u caktua në këtë vlerë me qëllim ndërgjegjësimin e shtetasve, nxitjen e tyre për të deklaruar të dhënat e vendbanimit real të tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, ku parashikohet deklarimi i vendbanimit jo më vonë se 30 ditë nga ardhja në vendbanimin e ri.
Të dy deputetët arsyetojnë se vetë aplikimi i këtij penaliteti administrativ ka nxitur qytetarët të mos deklarojnë vendbanimin real për të shmangur shlyerjen e gjobës prej 10 mijë lekësh.
“Vlera e larte e mases administrative te aplikuar ka qene nje nder shkaqet kryesore qe ka detyruar shtetasit, te cilët nuk kane respektuar afatin 30 ditor te deklarimit te vendbanimit, te vijojnë me nje regjistrim jo real duke marre shërbimin e gjendjes civile ne nje zyre ku realisht nuk banojnë”, shpjegohet në relacionin shoqërues të projektligjit, i cili vjen vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme që do mbahen më 25 prill 2021.
