Kryedemokrati Lulzim Basha i është përgjigjur ashpër akuzave të PS mbi kandidatët e PD, përkatësisht kandidatit në Shijak, si i lidhur me krimin.
Basha tha se PD është hartuesja e ligjit të dekriminalizimit, ndaj dhe sipas tij, është “hipokrizi e madhe të presësh moralizim nga një forcë politike dhe nga një njeri që kriminalizoi forcën e tij politike”.
Më tej, Basha deklaroi se sot problemi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve është kriminalizimi që Edi Rama i ka bërë pushtetit dhe forcës së tij politike, ndërsa u zotua se pas 25 prillit, nëse ai vjen në pushtet, do të bëjë Vettingun e politikanëve.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Partnerët tanë ndërkombëtarë veçanërisht ambasada Amerikane ka bërë thirrje disa herë që për elementë të caktuar të cilët nuk duhen të marrin pjesë në zgjedhje, a besoni se komisioni qendror i zgjedhjeve do të bëjë një punë të duhur duke eliminuar, duke i nxjerrë jashtë gare këta elementë që ambasada Amerikane i ka thënë edhe me emra?
Basha: Tani është fare e qartë se për shkak të aleancës së Edi Ramës me krimin ligji i dekriminalizimit nuk po funksionon dhe ju e dini fare mirë që ai refuzoi edhe vetingun e politikanëve. Garancia që shqiptarët kanë është që me votën e tyre me 25 prill do të votojnë për një kryeministër dhe për një qeveri që do të bëjë vetingun e politikanëve dhe do të zbatojë ligjin për dekriminalizimin. Pa e luftuar korrupsionin, pa ndarë politikën nga krimi, Shqipëria nuk mund të ecë përpara. Nuk mund të ketë fytyrë njerëzore as kryeministri i ardhshëm, as qeveria e ardhshme nëse është peng i krimit. Prandaj është e domosdoshme të ndahemi nga Edi Rama dhe nga aleanca e tij me krimin, të votojmë për ndryshimin dhe pa diskutim Partia Demokratike dhe unë qëndrojmë garant për të bërë realitet zotimet tona dhe propozimet tona duke përfshirë vetingun e politikanëve në mënyrë që t’ia kthejmë politikën njerëzve, të kthejmë një politikë me fytyrë njerëzorë e cila ka preokupim kryesor t’ju shërbejë njerëzve dhe jo ta shkatërrojë e ta zhvat vendin siç ka ndodhur në këto 8 vite.
