Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të vijojë të presë që Presidenti Ilir Meta të zhbllokojë fondet për projektin Vlorë-Orikum. Në një status në rrjetet sociale, Rama, pas akuzave të Presidentit se fondet do përdoreshin për qëllime selektive elektorale, kryeministri shton se këto fjalë janë ‘të qash e të qeshësh’.
Ai shton se ka durim dhe se do të presë që Ilir Meta të lexojë sqarimet që i ka nisur në lidhje me këtë projekt.
“Ilir Meta thotë se realizimi i një projekti të hartuar prej kohësh për infrastrukturën turistike të Vlorës qenka “qëllim selektiv elektoral”, prandaj ai e mbaka bllokuar prej muajsh autorizimin formal për marrjen e financimit të siguruar nga Fondi Saudit! Të qash e të qeshësh! Projekti gati, financimi gati, por ndërhyrja transformuese përgjatë segmentit Vlorë-Orikum dhe banorët, sipërmarrësit, turistët e asaj zone duhet të presin Ilir Metën! Kam pritur me durim e do presim edhe pak që IM të lexojë sqarimet që i kemi nisur, para se të flasim me Vlorën!”- shkruan Rama.
Më herët, Meta shkruante se është i vendosur të mos i lërë shteg Kryeministrit Rama, që të shpërdorojë fondet shtetërore për qëllime selektive elektorale, siç, sipas tij, do të bëhej në rastin e këtij projekti.
Presidenti shtonte se Kryeministri ende në detyrë synon, që në shkeljet e rënda për këtë marrëveshje, të përfshijë dhe Presidentin e Republikës. Këto akuza erdhën pas deklaratës së kryeministrit Rama, që paraditen e sotme tha nga Vlora se projekti Vlorë-Orikum bllokohet nga Meta.
