Kreu i SPAK, Arben Kraja në një prononcim për gazetën “Panorama” është shprehur se ka nisur hetimi për kallëzimin e bërë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, por sipas tij procedimi nuk është ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Hetimet që kemi nisur ne nuk kanë lidhje me shembjen e Teatrit. Janë procedura të tjera. Pra, hetimi ynë nuk ka lidhje me atë që ndodhi sot. Nuk është kompetenca jonë. Por megjithatë, nëse do kemi ndonjë raport tjetër në lidhje me këtë, që mund të jetë në kompetencat tona, patjetër që do t’u bashkëngjitet hetimeve që kemi nisur”, u shpreh Kraja për gazetën “Panorama”.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit iu drejtua SPAK-ut me pretendimin se kishin prova se janë falsifikuar firma dhe dokumente në procesin që po ndërmerret për prishjen e Teatrit Kombëtar.
Drejtuesi i SPAK-ut, prokurori Arben Kraja, i tha BIRN-it se ka një procedim penal të regjistruar mbi bazën e kallëzimit të artistëve, por se nuk ka emër të regjistruar.
“Çështja është në hetim”, pohoi Kraja. Më 6 maj, AMT kallëzoi pranë SPAK-ut Veliajn dhe Maznikun për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv të zyrtarëve që kryejnë funksione publike”.
