Një kompani japoneze ka krijuar një pajisje e cila i ndihmon njerëzit të rifitojnë aftësitë e humbura të disa muskujve.
Kjo pajisje vendoset në trup dhe ndihmon personat me dëmtime në palcën kurrizore dhe distrofi muskulare që të rifitojnë mundësinë për të lëvizur, gjithashtu fuqizon nervat dhe muskujt. Është e njohur si eksoskeleton me emrin HAL dhe ka pamjen e një kostumi të lehtë, me nyje që fuqizohen nga motorë të vegjël elektrik, të cilat shërbejnë si muskuj mekanikë, ndërsa pacientët arrijnë ta komandojnë atë me anë të valëve të trurit.
Në fillim të këtij viti, Qendra e Trajtimit Kibernetik Bruks në Florida ishte e para në Amerikë që vendosi të përdorë një teknologji unike rehabilituese të prodhuar në Japoni, Gjymtyrën Ndihmëse Hibrid, ose ndryshe HAL.
Sipas shkencëtarit që e shpiku pajisjen, Sankai, nuk mund të pretendohet që pasi të vishet kostumi pacienti mund të fillojë të vrapojë. Rehabilitimi kërkon kohë, vendosmëri dhe ndihmën e një fizioterapisti. Zakonisht një pacienti i duhen deri në 10 prova që të arrij të mësohet me të, kështu që sensorët dhe truri mund të fillojnë të bashkëpunojnë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2050 do të jenë mbi 2 miliardë njerëz mbi moshën 60 vjeç dhe eksoskeletonet do të ofrohen si një zgjidhje për popullsinë e moshuar, duke i ndihmuar ata që të qëndrojnë në këmbë.
Momentalisht, HAL e Sankait po ndihmon pacientët të riaktivizojnë lëvizjet e tyre muskulare në Japoni, Filipine, Gjermani dhe Poloni./ Klan Plus/