Deputeti i opozitës Myslim Murrizi ka hedhur akuza të forta në Kuvend ku denoncoi publikisht një tender që ishte kryer nga Ministria e Brendshme për veshjet, në kohë pandemie.
Murrizi tha se bëhet fjalë për një tender me vlerë 23 milionë euro, që sipas tij u shkurtuan njësitë e artikujve dhe jo shifra e tij. Ai i bëri thirrje SPAK që të hetojë në lidhje me këto abuzime sipas tij.
“Amnistia nuk besoj se ka të bëjë me ca të bardhë e ca të zinj. Sado të që të jepni masa ndaj bizneseve, sado të hiqni muzikën, është propagandë boshe, Jam dakord për një fushatë sensibilizuese për rrezikun që kanoset ndaj qytetarëve, Gjobat se largojnë COVID. Jo të gjithë kanë miliona dhe që kanë përfituar nga ky covid, si tenderxhinjtë. 200 mijë familje fermerësh në Shqipëri sa lekë kanë marrë? Më thoni. I dhatë ndonjë lekë, edhe pse prodhimet e tyre u groposën kanaleve?! Kujt ia dhatë lekët. Babëzia në këtë kohë pandemie nuk u ndal. Kam një tender të ministrisë së Brendshme, 23 mln euro për uniformat. Vlerën nuk ia ulët, por sasinë e produkteve po. 89 mijë njësi artikuj më pak. Jo të gjithë në këtë sallë, edhe nga PS, janë njëlloj të përlyer në paratë publike. Pasi ka të ndershëm. Ftoj SPAK që të merret me hajdutët që i janë errur sytë në këtë kohë kolere”, tha Murrizi.
Por ndaj tij është përgjigjur ministri Lleshaj, i cili i kërkoi deputetit të opozitës që nëse ka prova ti çojë në Prokurori.
Mos i bëni ftesë retorike prokurorisë, çojini atje ato gjëra që keni se i bëni shërbim qytetarit. Mos e bëni ju prokurorin, çojani atyre. Unë refuzoj të merrem me këtë dhe refuzoj këdo që i thotë vetes shqiptar dhe tenton të gjejë qoftë edhe një nanogram lidhje mes akuzave që kemi me mua”,- tha Lleshaj.
Ndërkaq, Murrizi i është përgjigjur për replikë: “Zoti Lleshaj unë nuk vi nga rruga, s’kam frikë, prokurorinë e shoh në sy si çdo burrë e grua me karrige, të garantoj që do i coj në SPAK të gjitha, s’kam thënë që ju firmosni tendera. Unë e di kush është shefi i tenderave në ministrinë tate, ty se di kush ta ka kafshuar gjuhën. Ti je në gjumë kur vijnë këstet në ministri, mos më ngri supet se po të kem gjëra konkrete për ty t’i them e s’më trembet syri”.
