Këtë të enjte, afro 50 liderë evropianë pritet të takohen në Granadë të Spanjës në kuadër të një mbledhjeje të zgjeruar të quajtur Komuniteti Politik Evropian, me fokus në përmirësim të bashkëpunimit, pavarësisht përkeqësimit të konflikteve dhe tensioneve në kontinent.
Tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, dhe në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit të gjitha pjesë e Komunitetit Politik Evropian – pritet të jenë në qendër të diskutimeve të 5 tetorit.
Më 24 shtator, Policia e Kosovës është sulmuar nga një grup i armatosur në Banjskë të Zveçanit, dhe për pasojë është vrarë një polic. Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues. Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, mirëpo kjo e fundit e ka mohuar pretendimin.
Po në shtator, Azerbajxhani e ka nisur një ofensivë ushtarake për ta marrë kontrollin e rajonit të kontestuar në Nagorno-Karabakut, duke nxitur ikjen e rreth 100.000 armenëve të Karabakut.
Liderët evropianë shpresojnë që liderët e Kosovës dhe Serbisë, dhe Armenisë e Azerbajxhanit do të pajtohen për të biseduar në margjina të samitit.