Një tjetër turk është ndaluar në portin e Durrësit në tentativë për të shkuar në Itali me dokumente false.
Sipas burimeve zyrtare bëhet fjalë për një 25-vjeçar ndaj të cilit tashmë rëndon akuza e falsifikimit të dokumenteve.
Vetëm një javë më parë një tjetër shtetas turk u ndalua në portin e Durrësit. 32-vjeçari u ndalua për të njëjtën vepër penale, atë të kalimit të kufirit me dokumente të falsifikuara.
NJOFTIMI I POLICISE
Goditet një tjetër tentativë për kalimin e kufirit me dokumente të falsifikuara.
Policia Kufitare ka arrestuar 1 shtetas turk, i cili ka tentuar të kalojë kufirin në mënyrë të paligjshme.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe në zbatim të masave për forcimin e kontrollit gjatë përpunimit të doumentacionit, shërbimet e Policisë Kufitare në Port, Durrës kanë ndaluar një shtetas turk, i cili ka tentuar të kalojë kufirin në drejtim të Italisë, me dokumente të falsifikuara.
Në lidhje me këtë rast janë njoftuar Specialistët kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në D.V.P Durrës, të cilët kanë kapur në flagrancë shtetasin R. B., 25 vjeç, banues në Turqi.
Materialet I kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Falsifikim i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.
