Ministria e Jashtme greke ka shprehur me një mesazh të saj në twitter mbështetjen dhe solidaritetin e saj ndaj popullit dhe qeverisë shqiptare që po përballen me situatën e vështirë pas goditjes së tërmetit të fuqishëm që tronditi vendin. “Ne i shprehim solidaritetin dhe mbështetjen tonë qeverisë së Shqipërisë dhe njerëzve të prekur nga tërmeti“ thuhet ne mesazhin përkatës.
Në të njëjtën kohë, sipas burimeve diplomatike Sekretariati i Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile në konsultim me Ministrinë e Jashtme, ka shprehur gatishmërinë e palës greke për të ndihmuar autoritetet shqiptare në përballimin e pasojave të tërmetit.
Ndërkohë edhe nga Italia mbërrijnë informacionet e para për ndihma konkrete. Kryetarët e dy bashkive në rajonin Marche kanë kontaktuar me specialistë të emergjencave civile të Bashkisë së Tiranës dhe kanë offruar ndihmat e tyre për banorët e prekur. Dy lëkundjet e para të tërmetit janë ndjerë gjithashtu në zona të Greqisë veriore, dhe kryesisht në Korfuz.
