Tema
kryesore e bisedës është ajo se çfarë po ndodh me negociatat mes Serbisë dhe
Kosovës. Por, cfarë komenti ka Thaçi për situatën politike në Shqipëri, ku
opozita ka djegur mandatet pas protestës së dhunshme në 16 shkurt, ndërsa
kërkon largimin e Ramës dhe zgjedhje të parakohshme. Thaçi vlerëson punën e
qeverisë Rama, ndërsa kërkon që dy palët të dialogojnë për të mirën e vendit.
“Realisht i kam përcjellë nga afër të gjitha zhvillimet në Tiranë, ashtu
siç i përcjell edhe politika e Tiranës të gjitha zhvillimet në Prishtinë apo
gjetiu ku jetojnë shqiptarë, por edhe më gjerë. Nuk është në ndërgjegjen e
moralin, as në etikën time që të jap opinione interferuese në skenën politike
të Shqipërisë, ashtu sikurse as nga Shqipëria besoj se nuk do të ishte me
interes që dikush të pretendonte për interferim, në kuptimin negativ, në skenën
e politikës, sepse skena politike edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë është e pjekur
plotësisht për ndërmarrjen e hapave të drejtë, të mençur dhe të urtë në shërbim
të dy shteteve, si të Shqipërisë edhe të Kosovës. Por ajo që është
jashtëzakonisht me rëndësi është se duhet të respektojmë legjitimitetin dhe
autoritetin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e lira, institucione këto që
burojnë prej vullnetit të njerëzve, si në Prishtinë, si në Tiranë. Pastaj
debatet, ballafaqimet pozitë-opozitë janë gjëra që duhet të respektohen dhe të
shikohen në kuadër të kornizës së angazhimeve që kemi, edhe ligjore, por në të
njëjtën kohë edhe kushtetuese, edhe të funksionimit të demokracisë.
Gjithashtu, debatet dhe ballafaqimet janë ato që duhet të na çojnë përpara. Ato
janë vlerë e proceseve tona euro-atlantike, por në asnjë rrethanë nuk duhet të
na kthejnë prapa apo të bllokojnë të ardhmen e qytetarëve tanë, prandaj, mendoj
që është jashtëzakonisht me rëndësi dialogu pozitë-opozitë që të punohet për
reforma. Unë mendoj që Shqipëria ka pasur një vlerësim maksimal prej Bashkimit
Evropian dhe prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës në veçanti, në procesin e
reformave demokratike. Mendoj se në këtë drejtim kryeministri Rama, me reformat
që ka bërë, ka bërë një punë që i ka munguar Shqipërisë prej një shekulli të
tërë. Por, natyrisht që ky angazhim duhet të ketë një koordinim të afërt edhe
me opozitën, në mënyrë që të jenë të gjithë bashkëpjesëmarrës dhe
bashkëmeritues, sepse tek e fundit, reformën në drejtësi e kanë votuar të
gjithë, me aq sa di unë, me 2/3 e votave.
E theksoj
përsëri, që unë jam Presidenti i Kosovës dhe nuk dëshiroj që të jap mendime në
favor apo kundër askujt, por çdo herë, me tërë angazhimin tim politik që prej
dy dekadash, kam respektuar institucionet e Shqipërisë, bartësit e
institucioneve, gjithmonë në raport korrekt me të gjithë aktorët politikë apo
edhe të shoqërisë civile. Dhe përsëri unë mendoj që duhet të respektohet parimi
i dialogut dhe i mirëkuptimit, dhe i respektimit të legjitimitetit qytetar dhe
në asnjë rrethanë të sfidohen proceset e rregullta demokratike prej kujtdo
qoftë dhe prej ngado që vijnë. Toleranca, mirëkuptimi dhe dialogu janë vlera që
politika shqiptare, mendoj unë, që duhet t’u avancojë. Në këtë drejtim ajo që i
njoh aktorët politikë në Shqipëri, qofshin të pozitës, qofshin të opozitës,
sepse ka pasur edhe përvoja të tilla siç ka qenë ajo para dy vitesh në mes të
z. Rama dhe z. Basha, mendoj duhet të vazhdohet me atë frymë të gjetjes së
zgjidhjeve të përbashkëta për të ecur përpara, sepse askush askënd nuk mund ta
sfidojë.
Apo siç ka pasur përvoja edhe më të hershme në Tiranë, siç ka pasur edhe në
Prishtinë, të ballafaqimeve, të konfrontimeve, por përsëri jemi ulur dhe mendoj
se tryeza duhet të vazhdojë gjithsesi dhe duhet të funksionojë, pavarësisht
dallimeve, tryeza e partive politike për reforma, për angazhime aktuale që
janë, por edhe për të ardhmen. Pra, dialogu, mirëkuptimi dhe shqyrtimi i
mundësive për të gjetur zgjidhje të interesit të përbashkët qytetar dhe
politik, natyrisht gjithmonë duke respektuar apektin kushtetues dhe ligjor.
Por, duhet pasur parasysh se edhe ne si Kosovë si shtet, edhe Shqipëria, nuk
kemi të bëjmë vetëm me ambiciet politike tonat, por kemi të bëjmë edhe me
kornizat e angazhimeve euro-atlantike, që duhet t’i rrspektojmë ato vlera dhe
ato parime, të cilat janë jetike për të ardhmen edhe të Kosovës, por edhe të
Shqipërisë” tha ai.