Presidenti i Kosovës ka reaguar ndaj artikullit të medias serbe “Novosti”, e cila raportonte se Hashim Thaçi është ftuar nga Dhoma e Specializuar apo siç njihet ndryshe si Gjykata Speciale.
Përmës një statusi në rrjetin social “Facebook”, presidenti Thaçi ka hedhur poshtë raportin e saj, ndërsa thekson se ky informacion është i pavërtetë dhe ka në vetëvete qëllime dashakeqëse.
Ai shton se nëse ftesa do të ishte e vërtetë do të shkonte njëllojë siç kanë bërë bashkëluftëtarët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Artikulli i gazetës serbe “Novosti”, ku përmendet edhe emri im si kinse i ftuar nga Dhomat e Specializuara, është i pavërtetë dhe shpifje qëllimkeqe. Nëse do të ftohesha, pa asnjë hezitim do t’i përgjigjesha ftesës, në çdo moment, si të gjithë bashkëluftëtarët tjerë. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e dinjitetshme dhe projekti më madhor politik e ushtarak në historinë e kombit shqiptar. Krenohem me UÇK-në. HTH”, ka shkruar Thaçi.