Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka bërë thirrje partive politike që të dorëzojnë sot propozimet për anëtarë të KZAZ-ve.
Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxha theksoi se KQZ nuk do të tolerojë asnjë vonesë, pasi, ka vijuar ajo, vonesat dëmtojnë cilësinë e zgjedhjeve.
“KQZ -ja është e vendosur të mos mirëkuptojë dhe as tolerojë vonesat në
propozime, ndaj kërkon që partitë politike të depozitojnë urgjent propozimet e
tyre për anëtarë të KZAZ-ve, brenda ditës së sotme dhe të mos bëhen shkak për
cënimin e administrimit të procesit zgjedhor. Vonesat në propozime cenojnë përgatitjen profesionale të komisionerëve, rrezikojnë mbarëvajtjen e procesit, dëmtojnë cilësinë e
zgjedhjeve”, tha Hoxha.
Deklarata e plotë:
Data 18 Mars shënon afatin përfundimtar për depozitimin e propozimeve për
KZAZ-të. Deri tani asnjë nga partitë politike që e gëzojnë këtë të drejtë, nuk ka
sjellë pranë KQZ-së propozime për komisionerë të nivelit të dytë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën apel partive politike që kanë të drejtën të
propozojnë anëtarë të KZAZ-ve që të respektojnë afatin ligjor për depozitimin e
kandidaturave në KQZ.
KQZ këkon që partitë politike të mos neglizhojnë respektimin e afateve ligjore
për paraqitjen e propozimeve për administratën zgjedhore, sikundër ka ndodhur
në çdo proces zgjedhor. Mos respektimi i afatit ligjor tregon mungesë
përgjegjshmërie në përmbushjen e detyrimeve që ju ngarkon Kodi Zgjedhor.
KQZ -ja është e vendosur të mos mirëkuptojë dhe as tolerojë vonesat në
propozime, ndaj kërkon që partitë politike të depozitojnë urgjent propozimet e
tyre për anëtarë të KZAZ-ve, brenda ditës së sotme dhe të mos bëhen shkak për
cënimin e administrimit të procesit zgjedhor.
Administrata zgjedhore duhet të trajnohet dhe kualifikohet për kryerjen e
detyrave. Vonesat në propozime cenojnë përgatitjen profesionale të
komisionerëve, rrezikojnë mbarëvajtjen e procesit, dëmtojnë cilësinë e
zgjedhjeve.
