Tirana, kampione e këtij sezoni tashmë është duke menduar për lojtarët që do të përfaqësojnë skuadrën bardheblu edhe në kompeticionin e Ligës së Kampionëve. Nuk do të mungojnë përforcimet në radhët e kryeqytetasve, megjithatë objektiv është edhe ruajtja e grupit aktual të futbollistëve të cilët kanë treguar se janë përshtatur dhe kanë marrë menatalitetin fitues.
Ndaj, në këto ditë, klubi do të nisë punën për zgjatjen e kontratave me futbollistët kryesorë, ndërsa një prej tyre e ka zyrtarizuar marrëveshjen e re tani në mbrëmje.
Klubi nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale ka bërë të ditur se bashkëpunimi me Agustin Torasën do të vazhdojë edhe për sezonin e ardhshëm. Argjentinasi është vlerësuar për atë që ka dhënë në fushën e lojës, teksa ka një meritë të madhe në ofensivën e Tiranës së këtij sezoni.

