Një gjykatës ka vendosur që ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kryer mashtrime për vite me rradhë gjatë ndërtimit të perandorisë së pasurive të paluajtshme. Në këtë përfundim ka arritur gjykatësi Arthur Engoron.
Engoron urdhëroi gjithashtu anulimin e certifikatave që lejojnë disa nga bizneset e Trump, përfshirë Organizatën Trump, të operojnë në Nju Jork. Gjykatësi përshkroi se si Trump, djemtë e tij të rritur Donald Jr. dhe Eric, Organizata Trump dhe të tjerë mashtruan bankat dhe kompanitë e sigurimeve duke duke ekzagjeruar vlerën e tij neto në dokumentet e përdorura për të bërë marrëveshje dhe për të siguruar financime të paligjshme.
Pohimet e gjykatësit erdhën pas një padie civile të ngritur nga prokurorja e përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James. Ajo e paditi Trumpin në shtator të vitit të kaluar duke e akuzuar ish-Presidentin dhe kompaninë e tij se kanë gënjyer për një dekadë për vlerat e aseteve, duke përfshirë këtu rezidencën e tij në Mar-a-Lago, apartamentin në majën e Trump Toëer dhe ndërtesa të tjera zyrash dhe fusha golfi. Sipas prokurores, pasuria neto e Trump është rritur nga 2.23 miliardë dollarë deri në 3.6 miliardë dollarë.
Gjyqi i radhës për këtë çështje pritet të zhvillohet më 2 tetor, por saga e përballjes me drejtësinë për Trump dhe kompaninë e tij sa i përket fryrjes së paligjshme të pasqyrave financiare mund të zgjasë deri në dhjetor.