Hetuesit belgë kanë mbërritur sërish ditën e sotme në ambientet e Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ende nuk dihet se cili do të jetë personi që do të pyetet pas kryedemokratit Lulzim Basha.
Mediat bëjnë me dije se do të merren në pyetje 22 persona. Në pyetje do të merre persona që dyshohet se janë të përfshirë në ngjarje.
Në qendër të hetimeve është edhe një grup kriminal që merret me trafikimin e lëndëve narkotike dhe pastron para me ndihmën e disa zyrtarëve, por ende nuk janë zbardhur detaje apo emra të personave të përfshirë. Aktualisht prokurorët dhe oficerët belgë ndodhen në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa dje kanë qenë në zyrat e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
I vetmi person që u dënua për dosjen ‘Toyota Yaris’ ishte Elvis Vladi. Por edhe këtij të fundit iu dha vetëm një vit e gjysmë burg për veprën penale të mosdeklarimit të parave në kufi, duke sfumuar akuzën fillestare “pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Vladi përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe do të qëndrojë vetëm 1 muaj në qeli, duke nisur nga data 19 tetor e vitit të kaluar, ditë kur iu dha dënimi. Për të njëjtën çështje është dënuar me 2 vite e 4 muaj burg edhe Agim Ceka i cili u gjykua për veprën penale “armëmbajtje pa leje”. Çeka ishte shoferi i kamionit.
Çështja “Toyota Yaris”
Kjo çështje është bërë si fillim publike nga Lulzim Basha, i cili akuzoi kreun e Grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla si të përfshirë në marrjen e miliona eurove. Basha tha se në vendin tonë do të vinin 5 milionë euro, por në fakt në Portin e Durrësit u numëruan vetëm 3 milionë e 470 mijë euro. Deklarata e Bashës ndryshoi itinerarin pasi makinat që supozoheshin të niseshin nga porti Ankonës, devijuan rrugën dhe u nisën nga porti i Barit drejt Durrësit. Balla e fitoi edhe gjyqin ndaj Bashës, i cili u gjobit me 50 mijë lekë gjobë për shpifje. Fillimisht për këtë dosje u arrestuan gjashtë persona, por të gjithë u liruan përveç Elvis Vladit dhe shoferit të kamionit Agim Ceka.
