Dosja e operacionit “One if by Land” me 51 të pandehur është dorëzuar në Gjykatë pas përfundimit të hetimeve nga Prokuroria.
Nga ky mega-operacion u kapën shtatë grupe kriminale të cilët dërgonin në mënyrë ilegale persona në SHBA, Kanada dhe Angli.
Operacioni i parë i policisë u zhvillua në dy faza, e para në 17 mars të 2018, dhe e dyta më 29 shtator të vitit të kaluar.
Operacioni “PASSPORT/ONE IF BY LAND” u zhvillua në bashkëpunim me agjencitë ligj zbatuese në Bullgari, Shqipëri dhe Maqedoni. Gjatë tij u arrestuan rreth 40 persona dhe u zbuluan shumë lidhje kriminale tё rrjetit.
Nga veprimet hetimore të kryera, rezulton se 7 grupe të strukturuara kriminale, të cilat operonin në Shqipëri, Bullgari, Spanjë, Francë, Republikën Domenikane, Itali, Britani, Irlandë, ShBA e Kanada, kanë mundësuar kontrabandimin e rreth 1 mijë personave (shtetas shqiptarë) në drejtim të Mbretërisë së Bashkuar, ShBA-ve dhe Kanadasë.
Për çdo person paguhej nga 7 000 paund për në Mbretërinë e Bashkuar dhe nga 25 000 deri në 30 000 dollarë për në ShBA dhe Kanada.
Pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale përmes veprimeve aktive ndihmonin shtetasit shqiptarë të interesuar për të emigruar në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të mësipërme, duke falsifikuar dokumenta udhëtimi dhe identiteti të vendeve të BE-së.
Ata përdornin iteneraret:
• Shqipëri – Itali – Mbretëri e Bashkuar
• Shqipëri – Francë – Mbretëri e Bashkuar
• Shqipëri – Bullgari – Belgjikë – Republika Domenikane – SHBA / Kanada
• Shqipëri – Spanjë – Amerika Latine – SHBA/Kanada
