Të arrestuar pak ditë më parë në kuadër të megaoperacionit të SPAK kundër dy grupeve të dyshuara të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave, GJKKO la sot në fuqi masën “arrest në burg” për Orgest Birçajn, Dritan Agën dhe Orest Sotën. Për Edmond Jaupin u caktua masa e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa Gëzim Islami është liruar kundrejt garancisë pasurore 100 mijë euro.
Të pandehurit kanë kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tyre, duke pretenduar se nuk kanë përdorur aplikacionin e koduar SKY ECC.
Pesë të dyshuarit dolën para gjykatës për verifikimin e masave të sigurisë, në një seancë që nisi në orën 09:00 dhe u ndërpre për rreth dy orë, pasi avokatët mbrojtës kërkuan kohë për t’u njohur me aktet hetimore.
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm prokurori i SPAK, Altin Dumani, prokurorja e çështjes Elida Kaçkini dhe gjyqtarja Flojera Davidhi.
Sipas SPAK, të arrestuarit janë pjesë e një rrjeti kriminal që dyshohet se ka trafikuar mbi 6.7 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt porteve të Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian.
Në krye të dy organizatave kriminale të goditura, sipas dosjes hetimore, qëndrojnë Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai. Hetimet pretendojnë se grupet kishin ngritur një rrjet të sofistikuar që shtrihej nga laboratorët e kokainës në Ekuador dhe Kolumbi deri te magazinat e përpunimit në Belgjikë dhe Holandë, ndërsa lënda narkotike fshihej në ngarkesa me qymyr, fruta dhe sojë për t’u futur në tregun europian.
Në dosje përmendet edhe Orgest Birçaj, pronar i kompanisë “Top Seven”, i cili sipas SPAK dyshohet se organizonte dërgimin e punëtorëve shqiptarë drejt laboratorëve të kokainës në Ekuador përmes agjencisë së tij të udhëtimeve. Ndërsa Orest Sota dhe persona të tjerë dyshohet se kishin role të ndryshme në trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Megaoperacioni i zhvilluar më 12 qershor çoi në lëshimin e 20 masave të sigurisë. Mes personave të përfshirë në hetim janë edhe biznesmeni Ilir Shtufi, i arrestuar në Greqi dhe që pritet të ekstradohet në Shqipëri, si dhe Artur Shehu, i shpallur në kërkim.
Sipas Prokurorië së Posaçme, fitimet e krijuara nga trafiku i drogës janë investuar më pas në kompani ndërtimi, prona të paluajtshme dhe aktivitete të tjera ekonomike.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 18 vila, 336 llogari bankare, kompani, apartamente, automjete luksoze dhe prona në Tiranë, Palasë, Jalë, Himarë dhe zona të tjera të vendit. Vetëm një transaksion i dyshuar i lidhur me prona në Zvërnec arrin vlerën e 128 milionë eurove.
Orest Sota – “Trafikimi I narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale” në bashkëpunim, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi I strukturuar kriminal”.
Orgest Bircaj – “Trafikimi I narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale” në bashkëpunim, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi I strukturuar kriminal”.
Dritan Aga – “Trafikimi I narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Edmond Jaupi – “Pastrim i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”
Gezim Islami – “Pastrim i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e vepraver penale nga organizata kriminale dhe grupi I strukturuar kriminal”.
