Moti i keq në Shqipëri i ka marrë jetën babë e bir. 16 orë pas zhdukjes, mëngjesin e sotëm janë gjetur trupat e pajetë të Pjetër Rushaj dhe djali i tij, Jason Rushaj 18-vjeç. Makinën e tyre e mori rrjedha e ujit të përroit në Malësi të Madhe.
“Pas 16 orë kërkimesh intensive, gjatë pasdites së djeshme, gjatë natës dhe gjatë mëngjesit të sotëm, nga polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në gjatësinë e përroit, në Bogë, u bë e mundur gjetja e dy trupave (babë e bir)”,-njofton policia.
Makina në të cilën udhëtonin babai me djalin dhe vajzën e tij u mor përpara nga rrjedha e përroit të Thatë. Vajza e familjes Rushaj mundi të dalë nga uji në kohë e ndihmuar nga një banor i zonës. Një skenë e tmerrshme dhimbje, kur trupat u nxorën pa jetë.
