Të hënën në ambientet e FSHF-së u prezantua ekipi i ri drejtues i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, trajneri i ri Sylvio Mendes Campos Júnior, i njohur si Sylvinho dhe zëvendëstrajneri i ri, argjentinasi Zabaleta. Ardhja e Sylvinho-s po del të jetë të mbarë, pasi qeveria shqiptare i ka akorduar një fond prej 70 milion lekësh të rinj Federatës Shqiptare të Futbollit për mbështetjen e ekipit kombëtar. Ndër të tjera në këtë vendim të Këshillit të Ministrave thuhet se, FSHF, brenda këtij muajit duhet të paraqesë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit planin e detajuar dhe të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së të veprimtarisë për të cilën do të përdoret ky fond. Ministria e Arsimit dhe Sportit do të caktojë një grup pune për mbikëqyrjen e realizimit të mbështetjes financiare të ekipit kombëtar të futbollit.
VENDIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE
“Nr. 894, datë 27.12.2022 PËR FINANCIMIN E FEDERATËS SHQIPTARE TË FUTBOLLIT, PËR MBËSHTETJEN E EKIPIT KOMBËTAR TË FUTBOLLIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 13, të ligjit nr. 79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr. 115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
- Financimin, në masën 70 000 000 (shtatëdhjetë milionë) lekë, për financimin e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), për mbështetjen e ekipit kombëtar të futbollit.
- Fondi i përcaktuar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, transferohet në llogarinë e FSHF-së, në bankën e nivelit të dytë/ “Union Bank” sh.a., me numër llogarie 111141628020115, dhe përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2022, për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, përkatësisht, në llogarinë ekonomike 604 “Transferta të brendshme”, në programin buxhetor 08140 “Zhvillimi i sportit”.
- FSHF-ja, brenda muajit janar 2023, të paraqesë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit planin e detajuar dhe të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së të veprimtarisë për të cilën do të përdoret ky fond.
- Ministria e Arsimit dhe Sportit cakton një grup pune për mbikëqyrjen e realizimit të mbështetjes financiare të ekipit kombëtar të futbollit. Përbërja dhe detyrat e grupit të punës përcaktohen me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Sportit.
- Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Federata Shqiptare e Futbollit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTËR Edi Rama.