Sot hyn në fuqi rregullorja e Bankës së Shqipërisë që heq të gjitha komisionet për transfertat bankare brenda vendit që do të kryhen përmes internetit ose telefonit celular.
Heqja e komisioneve zgjeron hapësirat e përdorimit të bankingut pa kosto për pagesat e faturave utilitare, për transfertat brenda bankës dhe drejt bankave të tjera.
Ç’ka do të sjellë kursim të kohës dhe parasë për publikun.
Sipas BSH-së, kjo rregullore pritet të lehtësojë ndjeshëm kostot e qytetarëve dhe bizneseve, por gjithashtu t’i japë një shtysë të fortë përdorimit të pagesave elektronike nga shqiptarët.
Sipas informacionit zyrtar për komisionet bankare që raporton Banka e Shqipërisë, mesatarisht, komisioni mesatar i aplikuar nga bankat tregtare është rreth 400 lekë për transfertat me vlerë të vogël dhe rreth 1200 lekë për transfertat me vlerë të madhe. Që nga dita e sotme, kjo është kosto që shqiptarët nuk do ta paguajnë më për transfertat ndërbankare.
Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, ky në fakt ishte një vendim i parashikuar qysh më herët, për të nxitur rritjen e pagesave elektronike, por miratimi i tij u përshpejtua, për të lehtësuar pagesat e qytetarëve gjatë periudhës së kufizimeve për shkak të COVID 19.
Statistikat zyrtare tregojnë se numri i llogarive bankare të lidhura me internetin në fund të vitit të kaluar arriti në afërsisht 442 mijë. Përdorimi i internet banking është rritur për të njëmbëdhjetin vit radhazi. Numri i transaksioneve përmes internetit vitin e kaluar ishte më shumë se 2.6 milionë.
