Për shpërthimin e një sasie tritoli në një fasoneri në rrugën “Fadil Deliu” në Tiranë, Policia ka arrestuar dy persona. Në pranga ka rënë një 46 vjeçar dhe një adoleshent 16 vjeçar. Edmond Arapi i ka ofruar të miturit shumën prej 1 milionë lekësh për të vendosur lëndën eksplozive jashtë portës së fasonerisë në pronësi të shtetasit italian Roberto Bingaido.
NJOFTIMI
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 25.05.2023, në rrugën “Fadil Deliu”, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në portën e jashtme të një fasonerie. Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Explosion”. Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga një 46-vjeçar dhe një 16vjeçar. 46-vjeçari dyshohet se ka shtytur 16-vjeçarin, duke i ofruar një shumë parash, për vendosjen e sasisë së eksplozivit, nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale.
Sekuestrohen një biçikletë e përdorur nga 16-vjeçari, e dyshuar e vjedhur më parë, veshje që ai ka përdorur gjatë vendosjes së eksplozivit dhe një mekanizëm arme. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5 dhe atë të Himarës, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur me datë 25.05.2023, në një fasoneri në rrugën “Fadil Deliu”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Explosion”. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit E. A., 46 vjeç dhe i një shtetasi 16 vjeç.
Nga veprimet hetimore dhe provat e siguruara dyshohet se 46-vjeçari e ka shtytur 16-vjeçarin, duke i ofruar shumë 100 000 lekë të rinj, për të vendosur sasisë e lëndës plasëse në fasonerinë në pronësi të shtetasit R. G.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një biçikletë e përdorur nga 16-vjeçari, e dyshuar e vjedhur më parë, veshjet që ai ka përdorur gjatë vendosjes së eksplozivit, si dhe një mekanizëm shkrehës arme, e cila u gjet gjatë kontrollit të banesës së shtetasit E. A. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.