Partia e ish-kryeministrit Alexis Tsipras, SYRIZA kërkon informacion nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis në lidhje me rolin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama në negociatat mes Athinës dhe Ankarasë, që Turqia kërkoi të niste me ftesën e ministrit turk, Mevlut Cavusoglu. SYRIZA kërkon të dijë pse takimi zhvillohet në Tiranë dhe jo në Bruksel.
“SYRIZA mbështet rifillimin e bisedimeve me Turqinë. Megjithëse kemi kërkuar informacion mbi vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, ne po mësojmë nga Ministri i Jashtëm i Turqisë për një takim të mundshëm me Ministrin e Jashtëm të Greqisë në Tiranë. Cili është pozicioni i qeverisë në lidhje me një takim të tillë dhe pse duhet të zhvillohet në Tiranë dhe pse jo për shembull në Bruksel?” pyet SYRIZA.
Dy vendet pritet të ulen në raundin e 61 të bisedimeve në Tiranë. Ftesa u bë nga ministri i Jashtëm turk i cili ftoi zyrtarisht sot Greqinë për t’u ulur në Tiranë me ftesë të kryeministrit Edi Rama. Ministria e Jashtme iu përgjigj pozivitisht ftesës megjithëse sqaroi se nuk kishte marrë asnjë ftesë zyrtare. Greqia dhe Turqia nuk janë në dakordësi për çështjen e Detit.