Ish-presidenti Bamir Topi, duke folur për situatën e krijuar në Kuvend, u shpreh se në parlament ndodhen 2 banda, banda e pushtetit dhe banda e opozitës.
“Shohim dy banda në atë institucion që duhet të ishte i fjalës së lirë i respektimit të ligjit i komunikimit me publikun. Kemi bandën e pushtetit dhe bandën e opozitës. Diagnoza duhet treguar drejt. Në një eksperiencë të gjatë parlamentare kurrë nuk e kam parë parlamentin kështu, ndonëse ka pasur dhe ngjarje tragjike deri në plagosje, kurrë s’ka qenë kështu. Kam menduar se këto mendje do emancipoheshin por po rrëshqasin keq e më keq.”, tha Topi.
Sipas tij, salla e Parlamentit nuk ofron asnjë shpresë se gjërat do të ndryshojnë.
“Kjo situatë do zgjasë aq kohë sa e keqja është brenda. Duke vazhduar metaforën e diagnozës agjenti mikrobik viral për të mos thënë një sëmundje më të rëndë të pashërueshme, është brenda. Ajo sallë nuk ofron asnjë shpresë se gjërat do të ndryshojnë. Kur e bëj këtë koment nuk kam parasysh përbërjen e të gjithë deputetëve sepse nuk janë futur të gjithë me një thes. Edhe pjesëtarët e bandave klasifikohen si njerëz në vijën e parë. Aty është një e keqe e madhe që më bën të rikthehen në atë situatë që e kam kundërshtuar në 2008.”