Një ngjarje tronditëse ka ndodhur këtë fundjavë në Berlin. Një trajner futbolli është rrahur nga një turmë prej 40 personash për shkak të një futbollisti adoleshent.
Mediat gjermane raportojnë se trajneri 43-vjeçar kishte përjashtuar nga ekipi lojtarin 18-vjeçar, i cili kishte insistuar për tu takuar me të dhe për t’u sqaruar. Në momentin kur trajneri ka mbërritur në një fushë sportive për të ndjekur një ndeshje futbolli, ka gjetur atje futbollistin adoleshent së bashku me 40 persona të tjerë familjarë e shokë të cilët i janë vërsulur duke e rrahur në publik.
Trajneri, një shoqërues i tij si dhe dy nga personat që i sulmuan mbetën të plagosur. Të katër personat u dërguan në spital. Spektatorët në fushën sportive që po ndiqnin ndeshjen kërkuan ndërhyrjen e policisë, që më pas arrestoi disa prej personave.