COVID-19 ka marrë vëmendjen kryesore të autoriteteve shëndetësore në vendin tonë, duke “lënë në harresë” shërbimet për sëmundjet e tjera. Por ky përqendrim i vëmendjes vetëm te virusi, ka rezultuar fatal për 53-vjeçarin nga Ndroqi, Lutfi Çekirri. Ai denoncoi në media se nuk iu dha ndihmë mjekësore nga QSUT dhe Spitali Ushtarak të cilët e “sorollatën” sa në një spital në tjetrin.
Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua e për pasojë ndërroi jetë ditën e premte, teksa sot u përcoll për në banesën e fundit. Kur kanë kaluar dy ditë nga vdekja e 53-vjeçarit, Report TV mëson se është ngritur një grup pune që po heton dy spitalet në vendin tonë. Një informacion i tillë është konfirmuar zyrtarisht edhe nga Ministria e Shëndetësisë.
“Ministria e Shendetesise dhe Mbrojtjes Sociale ka ngritur një grup pune për të verifikuar procedurat e ndjekura në strukturat spitalore për pacientin me inicialet L.Ç, 53 vjeç, që ndërroi jetë në QSUT. Duke i shprehur ngushëllimet familjarëve, Ministria e Shëndetesise siguron se do të kryhet hetimi i plotë administrativ për procedurat e ndjekura nga strukturat spitalore. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale siguron qytetarët se shërbimi mjekësor është në gatishmëri për të ofruar jo vetëm urgjencat 24/7, por të gjitha shërbimet e nevojshme për qytetarët në të gjitha nivelet e kujdesit mjekësor”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë.
Lutfi Çekiri te oborri i QSUT para se të ndërronte jetë dhe lajmërimi për vdekjen e tij
Lidhur me këtë ngjarje ka pasur edhe një reagim nga Partia Demokratike, nëpërmjet ish- deputetes Orjola Pampuri, sipas së cilëvë ky është një tregues se situata ka dalë jashtë kontrolli, duke e quajtur këtë si një krim shtetëtor.