Është përkujtuar 70 vjetori i rënies së Heroit të Popullit Bardhok Biba nën kujdesin e Bashkisë Mirditë, kryetarit të bashkisë Ndrec Dedaj, Komitetit të Veteranëve dhe organizatës së Dëshmorëve të Mirditës.
Fillimisht në varrezat e dëshmoreve tek varri i Heroit janë bërë homazhe e vendosur kurora me lule nga Bashkia dhe Komiteti i Veteranëve si dhe familja.
Më pas aktiviteti është zhvendosur në sallën e koncerteve të pallatit të Kulturës.
Veprimtaria masive në sallë u konceptu në dy pjesë, Akademia Përkujtimore me kumtesa rreth jetës dhe veprës së Bardhok Bibës dhe përshëndetje nga autoritete dhe drejtues të organizatavë të veteranëve dhe dëshmorëve në Qendër dhe në Mirditë.
Kumtesa e parë u soll nga studiuesi Nikollë Loka, i cili pas një analizë të gjërë të këtij personaliteti mirditas në Luftë dhe në vitet e para të çlirimit të vendit, dedukton se Mirdita për herë të parë u pa vërtetë jashtë ekzaltimeve të natyrës folklorike, jo si trevë e izoluar, që dëshiron vetë të jetojë e tillë, por si një pjesë e prapambetur e Shqipërisë, që përpiqej ta fitonte kohën e humbur. Bardhok Biba ishte kuadri kryesor i Mirditës, që kishte të gjitha cilësitë e kërkuara për ta udhëhequr procesin e integrimit të Mirditës në shtet, për të realizuar atë mision që kishte nisur Prengë Bibë Doda.
Referimi i dytë erdhi nga studiuesi Mark Mesuli, i cili solli me pak fjalë një prolog nga libri në përgatitje për Bardhok Bibën në 100 vjetorin e që përkon me fillimet e vitit të ardhshëm.
Në përshëndetjen e tij kryetari i Bashkisë Mirditë z. Ndrec Dedaj, u ndal në kontributet e Bardhok Bibës për ridimensionimin e Mirditës në kohët më të vështira të saj, duke theksuar se atë që ai bëri ishin frymëzim e janë për brezat e rinj, sidomos. Ai punoi fort për t’i bashkuar mirditasit kudo ata ishin, pavarësisht llogoreve politike, një model që na duhet fort edhe në ditët e sotme.
Përshëndetje erdhën edhe nga Organizata e Dëshmorëvë të Vendit me qendër në Tiranë, komiteti i veteranëve në Mirditë, familjet e dëshmorëve si dhe të pranishëm në sallë.
Më pas përshëndeti dhe e bija e Heroit, Marie Biba, duke sjellë ngjarje me datime që lidhen me punën dhe veprimtarinë e të atit, Heroit të Popullit. Ajo bëri thirrje për mirditorët që të tejkalojnë cdo lloj ndasie për një shkak a tjetër, duke u shprehur se shembuilli i të atit, e ka udhëhequr dhe do ta udhëheqë gjithnjë në jetë.
Postime te ngjashme
Add A Comment
