Prindërit e Marvi Mihalit, Pavllo dhe Fatmira, janë bërë prindër. Me brengë që ende i rëndon, 3 vite pas vrasjes së të birit të tyre, për një karikues, çifti ka sjellë në jetë një vajzë. Pavarësisht se të dy janë mbi 50 vjeç, mrekullia ka ndodhur.
Lajmin e jep gazetari Bledi Mane, i cili shkruan në rrjetet sociale, se tashmë ‘Marvi nuk lëngon në varr nga plagët e thikës, por gëzon për motrën e vogël të bukur’.
Postimi i plotë i gazetarit:
E mbani mend para tre vitesh, u kujtohet vrasja makabre për një karikues celulari e djaloshit 19 vjeçar Marvi Mihali në Tiranë? Veç dhimbjes, veç humbjes, veç jetës së djalit të tyre të vetëm ndërperë padrejtësisht, prindërit e Marvit luftuan si heronj edhe me drejtësinë halabake dhe vampire shqiptare. Dy prindër intelektualë kurajozë, këmbëngulën duke i dhënë krimit dhe gjykatave shqiptare mësimin e merituar. Megjithëse në moshë mbi 50 vjeç, mësuesja e anglishtes Fatmira dhe bashkëshorti i saj Pavllo Mihali, kampioni i dikurshëm i atletikës, sot kanë arsye të mposhtin dhimbjen dhe të fillojnë të lumturohen gradualisht. Ata sapo janë bërë prindër të një vajze duke na treguar të gjithëve se jeta ngrihet mbi plagët e vdekjes. Vëllai më i ri në Tiranë Marvi Mihali tashmë nuk lëngon në varr nga plagët e vrasjes me thikë, ai gëzon se tashmë ka një motër të vogël të bukur e cila erdhi në jetë jo për hakmarrje por për të përcjellë dashuri në një vend të plagosur nga qytetarët e tij…