FIFA u tërhoq nga plani për të shitur 20 për qind të të drejtave komerciale të Kupës së Botës te privati. Kjo gjë është pritur mirë nga UEFA, me organin evropian të futbollit që nuk e ka zbutur inatin me kreun e FIFA-s, Gianni Infantino. Në reagimin e UEFA-s mund të lexohet nëpër rreshta se këta të fundit kërkojnë një president tjetër në vend të Gianni Infantinos, duke i kujtuar se ka dështuar të mbajë premtimet e dhëna.
Reagimi i UEFA-s:
UEFA mirëpret vendimin e FIFA-s për të tërhequr planin e saj për të shitur një pjesë të aksioneve të garave të saj, përfshirë edhe Kupën e Botës, në duart e investitorëve privatë.
Ky propozim u refuzua njëzëri nga federatat kombëtare të UEFA-s, si dhe nga shumë federata e konfederata të tjera në të gjithë botën, të cilat kanë detyrën të mbrojnë futbollin.
UEFA falenderon të gjithë tifozët, ligat, klubet, futbollistët, individët, federatat dhe konfederatat që kundërshtuan këtë nismë, së bashku me kryeministrat, krerët e shteteve dhe analistët e shumtë që i treguan presidentit të FIFA-s se futbolli nuk është në shitje.
Nuk mund të vazhdohet më me plane sekrete të përshpejtuara, të hartuara nga persona anonimë dhe me përfitime të dyshimta për futbollin. Duhet të identifikohen përgjegjësit dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.
Është e drejtë që, gjatë ditëve dhe javëve në vijim, UEFA të punojë me federatat e saj anëtare dhe në bashkëpunim të ngushtë me konfederatat e tjera për të analizuar se si u arrit deri këtu dhe për të hartuar një plan që të sigurojë se një situatë e tillë nuk do të përsëritet më. Ky rishikim duhet të jetë i plotë dhe themelor. Asnjë mundësi nuk duhet të përjashtohet. Drejtimi aktual i FIFA-s jo vetëm që ka humbur besimin e UEFA-s, por edhe atë të shumë anëtarëve të tjerë të familjes së futbollit.
Kur Gianni Infantino kërkoi besimin dhe votat e federatave anëtare të FIFA-s për t’u zgjedhur president në vitin 2016, ai deklaroi:
“Sigurisht që duhet të jemi transparentë. Kështu kam qenë gjatë 15 viteve të fundit të jetës sime në UEFA. Ju do të duhet të merrni pjesë çdo ditë në jetën e FIFA-s.”
Më pas ai u tha të pranishmëve:
“Paratë e FIFA-s janë paratë tuaja. Nuk janë paratë e presidentit të FIFA-s. Janë paratë tuaja. Ju jeni federatat kombëtare dhe fondet e FIFA-s duhet të shërbejnë për zhvillimin e futbollit dhe për asgjë tjetër.”
Për të dyja këto premtime, ai ka dështuar t’i mbajë. Marrëveshja e paqartë, e përgatitur në prapaskenë dhe që u përpoq ta impononte, ishte gjithçka tjetër përveçse transparente.
Dhe, me rezervat financiare të FIFA-s që aktualisht tejkalojnë 5 miliardë dollarët, ai gjithashtu ka dështuar të përdorë fondet e federatave për të mirën e futbollit.
UEFA do të nisë menjëherë punën me partnerët dhe aktorët e futbollit në mbarë botën për të propozuar një mënyrë të re të shpërndarjes së burimeve përmes programit ekzistues FIFA Forward.
Duhet të fillojmë të përdorim një pjesë të këtyre fondeve, që aktualisht qëndrojnë të pashfrytëzuara në llogaritë bankare të FIFA-s, për t’i dhënë zhvillimit të futbollit bazë dhe futbollit në përgjithësi shtysën që i nevojitet në secilin prej 211 vendeve anëtare të FIFA-s. Por për ta bërë këtë nuk kemi nevojë të shesim “argjendarinë e familjes”, pra pasuritë më të çmuara të futbollit.
Kjo është një fitore për të gjithë futbollin. Por nuk duhet të jetë fundi i kësaj historie. Propozimi është tërhequr. Tani sapo ka nisur detyra shumë më e rëndësishme, rindërtimi i besimit te FIFA.
