Ditën e djeshme, gazetari amerikan, Brent Renaud, u qëllua për vdekje nga trupat ruse në qytetin Irpin i cili ndodhet jashtë Kievit. Shefi i policisë së Kievit, Andriy Nebytov theksoi se Renaud ishte vënë në shënjestër nga ushtarët rusë. Ndërkohë, dy gazetarë të tjerë mbetën të plagosur.
Ky është rasti i parë i raportuar i vrasjes së një gazetari të huaj që mbulon luftën në Ukrainë. Ndërkohë kolegu i tij, i cili mbeti i plagosur ka deklaruar se në momentin që janë qëlluar, ata po filmonin refugjatët që po largoheshin.
“Ne kishim kaluar një urë në Irpin, donim të filmonim ikjen e refugjatëve, gjetëm një makinë për të shkuar në një urë tjetër, kaluam një pikë kontrolli dhe më pas ata filluan të na qëllonin. Ai u qëllua në qafë,” tha Juan Arredondo.
Akoma nuk është bërë e qartë se për cilën media raportonte gazetari, por “New York Times” ka bërë të ditur se ai kishte punuar për herë të fundit për gazetën në vitin 2015.
