Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi zhvilloi një takim me të rinj dhe të reja të LRI-së në Shkodër. Ajo deklaroi se ndonëse është te LSI, në thelb mbetet një socialiste.
“Unë do ta mbaja me kënaqësi maskën me LSI me ngjyrën e kuqe. Edi Ramës nuk i pëlqen ngjyra e kuqe, nuk i pëlqen ngjyra e flamurit. Edi Rama ia ndryshoi edhte ngjyrën flamurit të PS-së, nga e kuqe në mavi. Mua më pëlqen ngjyra e kuqe sepse është ngjyra e dashurisë, është ngjyra e trëndafilave dhe në Shkodër janë në çdo oborr shkodran. Edi Rama e shkatërroi PS-në dhe e ktheu partinë në një sekt.
Unë jam socialiste në thelb, dhe kur e dëgjon dikush këtë në Shkodër, shikon me ilaritet. Socialist do të thotë njeri që të jep dorën, që bashkëpunon në komunitet e jo totalitarizëm. Që të kurohet sot një pacient nga covidi i duhen mbi 1 milionë lekë, për 1 rrogë minimale i duhen 5 muaj për të paguar shërimin e një të sëmuri.
Kam takuar socialistë edhe këtu në Shkodër shumë. Ata më thonë se Edi Rama na ka braktisur. Tash që ky mori gjithë tepsinë me timon nuk po ndaloka, është bërë si vampir që po na pi gjakun. E këtë kur e thotë një socialist”, tha Kryemadhi.
