Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
Lajmet e Fundit

Ura e Gurtë e Adanasë, më e vjetra në botë ende në përdorim

11:28 / February 18, 20227 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
620e74a1c1c9f
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

𝕂ur shihni një urë, vallë dëshironi ta kaloni menjëherë? A ju tërheqin urat? Teksa qëndroni mbi një urë, a jeni me të vërtetë të ndërgjegjshëm se ku ndodheni? Mos vallë mendoni që jeni mes dy pikave të ndryshme apo ura është thjesht një mjet që ju lehtëson jetën?

Edhe pse urat në thelb janë struktura, ato gjithashtu janë simbole të takimit, kapërcimit të pengesave ose arritjes së një bote tjetër. Ato janë ylber, sipas mitologjisë greke. Kurse në mitologjinë skandinave, urat janë një pemë e shenjtë me rrënjë nën tokë dhe degë në qiell, e cila zgjatet deri në “shtëpinë e perëndive” dhe lidh dy botët me njëra-tjetrën. Një pemë të ngjashme e hasim po ashtu në mitologjinë turke. Ajo njihet si “pema e jetës” dhe besohet se lidh botën tonë me jetën e përtejme. Në periudhën paraislame, ylberi ishte një motiv fare i zakonshëm në daullet e shamanëve dhe quhej “ura e parajsës”. Në besimet e Lindjes së Largët, ura midis tokës dhe qiellit është njeriu vetë. Urat janë shumë më tepër sesa ndërtime, ato kanë të bëjnë me rrënjët tona; prandaj mishërohen e konkretizohen me domethënie simbolike të ndryshme në kultura të shumta anekënd botës.

620e74d76af14

Fillimisht, urat përdoreshin thjesht për të kaluar nga një breg në tjetrin. Njerëzit përpiqeshin të kapërcenin lumenjtë e luginat duke përdorur trungje pemësh ose bimë kacavjerrëse. Vetëm se kjo mënyrë nuk vlente për çdo lumë apo luginë, andaj nevojiteshin zgjidhje të ndryshme. Kështu, njerëzit përdorën shkëmbinj, pemë e fibra druri për të ndërtuar ura varëse primitive. Por meqenëse urat e drunjta nuk ishin të qëndrueshme, njeriu filloi të përdorë gurin në ndërtimin e tyre. Dhe me kalimin e kohës vendin e drurit dhe gurit e zuri betoni, hekuri apo çeliku. Fibrat u zëvendësuan nga zinxhirë hekuri dhe më pas zinxhirët nga kabllo çeliku… Urat janë transformuar në struktura arkitekturore që tregojnë përparimin e njerëzimit në teknologji dhe shkencë.

Pavarësisht se burimet historike thonë që urat e para janë ndërtuar në Kinë, realisht nuk ka asnjë fakt të dukshëm në lidhje me ato ura. Kjo është arsyeja pse ura më e vjetër që njeh bota jonë sot për sot, pranohet të jetë ndërtuar nga sumerët. Ura në fjalë, një strukturë 5.000-vjeçare, ndodhet në Irak dhe mbetje të saj kanë mbërritur deri në të sotmen. Sumerët kanë ndërtuar urat e para dhe ky është një fakt i pamohueshëm aktualisht, por ata nuk ishin shumë të suksesshëm në kapërcimin e hapësirave të mëdha. Suksesi i vërtetë në ndërtimin e urave erdhi gjatë sundimit të gjerë të Perandorisë Romake. Disa nga këto ura funksionojnë ende sot e kësaj dite. Ndër shembujt më të vjetër dhe ende në përdorim të urave romake në botë, spikasin ato në Anadoll. Më rëndësishmet janë Ura e Gurtë (Taşköprü) në Adana, Ura e Karvanëve në Izmir dhe Ura e Severanit apo Septim Severit (Cendere) në Adijaman.

Adanaja, provincë në jug të Turqisë, është një nga vendbanimet më të vjetra në Anadoll. Historia e saj daton që nga qytetërimi hitit. Ajo pozicionohet në rrugët e karvanëve që prej kohëve të lashta. Adanaja ishte një qytet i rëndësishëm po ashtu gjatë periudhës romake. Sepse transporti për në territoret apo rajonet e perandorisë në Lindjen e Mesme mundësohej nëpërmjet Urës së Gurtë në Adana. Kjo mendohet të jetë ura më e vjetër në botë ende në përdorim e ndërtuar gjatë sundimit të Perandorisë Romake. Ura e Gurtë apo Taşköprü, mbi lumin Seihan (apo Sarus në antikitet), është ndërtuar me gurë shtufi dhe mermer rreth 2.200 vite më parë, kurse restaurimi më i madh i saj është bërë para gati 1.600 vjetësh. Po të shohim gravurat e vjetra, në të dyja hyrjet e urës bien në sy porta të mëdha monumentale me hark, të cilat njihen edhe si “Portat e Kalasë”. Këto porta ishin njëkohësisht dogana, ku bëhej kontrolli i hyrjeve në qytet dhe vileshin taksa nga tregtarët që vinin. Në periudhat e mëvonshme, në mes të urës u shtua një tarracë panoramike dhe u ndërtua një vilë.

Ura e Gurtë e Adanasë, e ndërtuar me teknologjinë dhe njohuritë inxhinierike më të përparuara të asokohshme, është projektuar enkas me 21 harqe për të kaluar lirshëm një lumë të madh siç është Seihani. Ajo njihet gjithashtu si Ura mbi Sarus apo Ura e Hadrianit, për nder të perandorit romak që urdhëroi ndërtimin e saj në gjysmën e parë të shekullit II p.e.s. Kurse Prokopi i Cezaresë, studiues mjaft i shquar bizantin nga Palestina dhe i konsideruar si i fundmi nga historianët e mëdhenj të botës së lashtë, në veprën e tij “Ndërtimet e Justinianit” të shkruar rreth vitit 557 pas Krishtit, thekson se Justiniani I, perandor bizantin që sundoi në vitet 527–565, urdhëroi rindërtimin e kësaj ure. E gjatë 310 metra dhe e gjerë 11,4 metra, ura në fjalë është ndër simbolet e Adanasë dhe lidh dy anët e qytetit prej 16 shekujsh. Sot për sot ajo ka vetëm 14 harqe, pasi 7 prej tyre janë mbuluar nga aluvionet pas rehabilitimit të lumit.

Urat bashkojnë njerëz, qytete dhe vende që prej antikitetit… Ato kanë dëshmuar luftëra, ndarje dhe ribashkime të shumta mbi lumenj të qetë apo të rrëmbyeshëm… Disa përdoren për të kapërcyer në mënyrë të sigurt lumenj të furishëm apo të mëdhenj, disa për të shkuar në anën tjetër të luginave të gjera. Këto struktura, të cilat fillimisht përdoreshin për të kaluar nga një breg në tjetrin, fituan qëllime tregtare dhe ushtarake me kalimin e kohës. Rritja e prodhimit të hekurit pas revolucionit industrial mundësoi ndërtimin e urave me skelet hekuri dhe kështu filluan të ndërtohen ura shumë më të mëdha e më të qëndrueshme.

620e753eb9897

Ato janë ndër shembujt më të bukur të arkitekturës civile, pasi zbulojnë teknologjinë e periudhës në të cilën janë ndërtuar. Por misioni i tyre nuk është vetëm të sigurojnë kalimin e njerëzve apo automjeteve; në të njëjtën kohë ato janë lidhja jonë mes së shkuarës dhe së ardhmes, janë shumë më tepër se një strukturë… Urat janë simbole të qyteteve, shumë prej të cilave identifikohen me urat e tyre. Ato janë adresa të domosdoshme për takime dhe ribashkime. Rrjedhimisht, ajo janë bërë tema filmash, romanësh e këngësh… Urat në jetën tonë zënë një vend shumë më të madh nga ç’e imagjinojmë.

Zbulimi i bërë në Hattusha, sit arkeologjik në provincën qendrore të Çorumit, është ura më e vjetër e lashtësisë në Anadoll… Sipas disa burimeve, Ura e Gjatë apo Uzunköprü në Edrene, provincë perëndimore në brigjet evropiane të Turqisë, është ura e gurtë më e gjatë në botë… Ura e Dyfishtë apo Çifteköprü lidh dy brigje përrenjsh të rrëmbyer në Artvin, provincë verilindore turke që laget nga Deti i Zi… Ura e Justinianit mbi lumin Sakaria (apo Sangarius në antikitet) është një nga strukturat monumentale më madhështore të periudhës së hershme bizantine në Turqi dhe për këtë arsye është përfshirë në Listën Paraprake të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ura e Irgandit në Bursa, provincë veriperëndimore në brigjet e Marmarasë, është e vetmja në Turqi dhe ndër të paktat në botë me një radhë dyqanesh mbi strukturën e saj të harkuar. Ura e Malabadit mbi lumin Batman në Dijarbakir, provincë në juglindje të Turqisë, është ura e gurtë me harkun më të madh që njeh bota deri më sot. Me pak fjalë, pavarësisht se cilin qytet zgjidhni të vizitoni në hapësirën gjeografike të Anadollit, një urë do të shfaqet gjithnjë para jush; ndonjëherë e vogël, hera-herës e madhe dhe jo rrallë kolosale! Anadolli është plot me shembujt më të mirë të urave, dëshmitare të heshtura të kohës. Madje vetë Anadolli është një urë! Ai është një urë me bukuri të jashtëzakonshme që lidh Evropën me Azinë prej mijëra vjetësh… Mbi këtë urë kalon ndër shekuj një histori e tërë me qytetërime unike…

tirananews.al
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Zelensky: Negociatorët amerikanë kishin ide të mira për fundin e luftës

13:37 / September 8, 2026

Grabitje në muzeun e Renoir në Francë, vidhen katër vepra arti me vlerë 9 milionë euro

10:18 / September 8, 2026

Rikthimi i Harryt dhe Meghan Markle në Britani, Mbreti Charles sqaron statusin e çiftit: Nuk e përfaqësojnë Familjen Mbretërore

19:22 / September 7, 2026

“CDU-ja është tronditur nga themelet pas suksesit të AfD-së”- Kancelari Merz: Dorëheqja nuk është një opsion për mua

17:21 / September 7, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.