Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj, ndaj të miturit i cili dyshohet që së bashku me katër persona të tjerë dhunuan një të mitur gjatë së shtunës.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e kësaj Gjykate, Mirlinda Gashi.
“Duke ju referuar kërkesës tuaj për informata ju njoftojmë se lidhur me këtë rast Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj një të mituri, i cili dyshohet se është i përfshirë në këtë rast”, ka thënë Gashi.
Ajo ka shtuar se ndaj personit tjetër të arrestuar për këtë rast, pritet që të merret vendimi sot në seancën dëgjimore që do të mbahet në orën 13:00.
“Ju njoftojmë se lidhur me këtë rast Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të rënda sot ka pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit edhe për një të pandehur, i cili dyshohet se është i përfshirë në këtë rast, seanca dëgjimore do të mbahet sot në ora 13:00”, u shpreh Gashi.
Pesë persona dyshohet se të shtunën nga ora 17:30 deri në orën 00:30 kanë dhunuar një të mitur.
