Vaksina do të zgjasë gjithë vitin tha anëtarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve Silva Bino. Ajo ishte në Shkodër, bashkë me kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Bino tha se tashëm është radha e “imunizimit” të grupeve të riskuara që janë të moshuarit.
“Është një proces shumë i rëndësishëm si për të gjithë vendin. Dhe ky është një proces që do të vazhdojë me shtëpitë e të moshuarve, personel tjetër shëndetësor. Personat mbi 90 vjeç dhe persona me sëmundje bashkëshoqëruese. Është një proces që do të zgjasë gjithë vitin”, tha Bino.
Bino u shpreh se gjatë ditëve të fundit ka pasur rritje të shifrave në të gjithë vendin por jo në Shkodër ndërsa përsëriti apelin që personat e vaksinuar të vazhdojnë të ruhen po njësoj pasi efekti nis pas 5-6 javësh.
“Kemi pasur rritje të shifrave por Shkodra ka pasur ulje që tregon që në Shkodër po bëhet një punë shumë e mirë në krahasim me disa bashki të tjera. Derisa të kalojnë 5-6 javë nga vaksinimi personat duhet të ruhen po njësoj.
Në Shkodër do sjellim vazhdimisht doza për të vaksinuar popullatën e planifikuar, Popullata e planifikuar deri në këto moment janë personeli shëndetësor, shtëpitë e moshuarve bashkë me punonjësit që punojnë tek ata dhe pastaj do të fillojmë me grupmoshën tjetër”, u shpreh Bino.
