Varianti i ri që ka ngritur alarm në Evropë fatmirësisht nuk ka arritur në vendin tonë, kështu është shprehur ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Në një prononcim nga pika e testimit të shpejtë në qendrën shëndetësore “Qyteti Studenti”, ministrja tha se po punohet me vigjilencë të shtuar për të hetuar rastet e infektimeve nëse janë ato të virusit të parë apo të mutacionit që është identifikuar fillimisht në Angli.
“Edhe për vlerësimin e variantit të ri të Covid 19, që në gjithë Evropën është ngritur ky alert i shtuar për identifikimin në kohë të këtij varianti të ri që vlerësohet të jetë shumë me i transmetueshëm e agresiv se virusi aktual. Deri tani s’kemi konfirmim të rasteve të tilla por duhet të jemi vigjilent për të kapur një kohë dhe këto raste e për të minimizuar rrezikun”.
Ministrja Manastirliu tha se autoritetet janë ende në alert për rastet e infektimeve.
Edhe pse e qendrueshme, rritja e numrit të infektimeve e këtyre ditëve tha Manastirliu, “na vendosin përballë një vigjilence të shtuar në raport me vlerësimin e situatës se masave. Kërkohet që e njëjta vigjilencë të jetë dhe nga qytetarët”.
Sipas ministres, “lufta ende vazhdon, jemi ende në mes të betejës”.
Duke folur për vaksinat antiCOVID, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se do të garantojmë furnizimin me vaksinën antiCOVID përmes dy kontratave, drejtpërdrejt me Pfizer si dhe nëpërmjet mekanizmit COVAX.
“Kemi filluar vaksinimin me më shumë se 500 mjekë dhe infermirë të spitaleve COVID dhe vaksinimi do të vijojë, pasi ne kemi garantuar edhe vijimin e furnizimit me dozat e vaksinës nëpërmjet kontratës me Pfizer dhe gjithashtu edhe nëpërmjet COVAX, ku kemi parapaguar 4 milion dollarë dhe që pritet që furnizimet e para të vijnë në Shkurt. Vaksinimi ështe një armë më shumë për mposhtjen e këtij virusi, por ne duhet paralelisht të vijojmë me vigjilencë të shtuar, në mënyrë që të kontrollojmë situatën e epidemisë në vend”, tha Manastirliu.
