Nga Vasilika Hysi*
A mjafton të shprehim ngushëllimet për viktimat e krimit sa herë që kryhet një krim?!
Boll më!
Ngjarjet e sotme treguan edhe njeherë se vrasja e grave (femicide) është një krim i rëndë që mund të ketë një ekzekutor, por shumë përgjegjës.
Aktet e dhunës që qarkulluan këto ditē në rrjetet sociale, mungesa e modeleve pozitive të prindërimit dhe edukimit në shumë familje, promovimi dhe nxitja e dhunës kudo, prodhojnë dhunë dhe një shoqëri të dhunshme.
Mos kërkoni më të ndryshohet kodi penal, sepse dënimet penale janë të rënda; për vrasjet në familje ligji parashikon dënim me burgim të përjetshëm!
Ligjet janë, ato duhet njohur dhe zbatuar nga të gjithë me korrektësi!
“Të shkundemi” të gjithë dhe t’i kthehemi familjes dhe edukimit të fëmijëve;
Të skanohen familjet me probleme sociale dhe që nuk prindërojnë pozitivisht, të mbështeten dhe fuqizohen ato;
Të parandalojmë dhe të luftojmë diskriminimin ndaj vajzave që në moshat e hershme, në familje, shkollë, shoqëri, nē çdo mjedis;
Dënimi me burgim i autorit nuk nënkupton gjithnjë rehabilitimin e tij;
Viktimat nuk mund të vijojnē të ndihen të pasigurta edhe pas dënimit të autorit;
Dënimi penal për krimet e femicidit duhet të jetë në proporcion me rrezikshmërinë e madhe të këtyre veprave penale;
Uljet e dënimit për burrat dhe djemtë që vrasin gra dhe vajza nuk mund të justifikohen;
Vlerësimi i politikës penale kundër femicidit dhe efektiviteti i saj duhet të jetë sistematik;
Figurat publike duhet të promovojnë gjuhë miqësore, respekt për gratë dhe vajzat dhe të distancohen nga gjuha dhe sjelljet diskriminuese;
Dhuna në çdo formë të saj dhe diskriminimi gjinor nuk mund të promovohen në media dhe në rrjetet sociale.
Mjaft më duke promovuar modelet e dhunshme dhe pa vlerë në shoqëri!
*Ish-deputete e PS-së, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë. Është propozuese e shumë ndryshimeve dhe përmirësime në Kodin penal, në ligjin e ndihmës juridike, në ligjin për të drejtat dhe trajtimin e personave të dënuar, për mbrojtjen me të mirë të të drejtave të grave. Gjithashtu ka qënë antare e komisionit për Reformën në Drejtësi.