“Vdekja e kalit” një film që u duk si një revolucion në vitet ’90, ka ardhur sërish për publikun shqiptar i restauruar, teksa Premiera është mbajtur mbrëmjen e kaluar në Parkun Olimpik.
Përveç publikut të pranishëm, emocionet e filmit u ndjenë dhe tek protagonistët, të cilët shprehën për News24 kënaqësinë e restaurimit të tij. Filmi mban firmën e regjisorit Saimir Kumbaro, skenar të Nexhati Tafës dhe është realizuar më 1992 me interpretimin brilant të aktorëve: Timo Flloko, Rajmonda Bulku, Niko Kanxheri, Tunka Kurti, Fitim Makashi etj.
Aktori Timo Flloko shprehet për News24 se ajo çfarë mund të korrigjohej është bërë në maksimum, duke treguar dhe një problem me filmin.
“Ishte një premierë befasuese në fakt. Ajo çfarë mund të korrigjohej është bërë në maksimum. Drejtoresha e arkivit të filmit Elezi, ka bërë një punë të lavdërueshme, me gjithë kompanitë që është lidhur dhe e ka shpëtuar ‘Vdekjen e kalit’ nga ‘vdekja’ e tij. Kolona zanore është përmirësuar shumë dhe kolona zanore i jep ritëm filmit në përgjithësi. Në tërësi, kolonat zanore nëpër filmat tanë kanë qenë të mangëta. Rregullimi i saj plus muzika që është shumë e mirë i kanë dhënë filmit jetë më shumë. Nga ana e figurës nuk mund të bëhej më shumë sepse ka pasur probleme, një shirit në mes dhe ata janë përpjekur të bëjnë ç’është e mundur që filmi të jetë parametrat teknikë”, tha Flloko.
Ai rrëfeu se filmi mund të ishte prezantuar dhe në Festivalin e filmit në Kanë, por pikërisht këto probleme teknike e kanë pamundësuar.
“Filmi kur e pa një grup një Francë që ishte dhe Ismail Kadare mes tyre, vetë Kadareja foli me producentin ekzekutiv të Kanës për ta çuar filmin, sepse e pëlqeu, iu pëlqeu të gjithë atyre siç u pëlqye sonte filmi, sepse në fakt filmi është emocional. Producenti i filmit foli gjatë më Ismailin në telefon dhe i tha është e pamundur të shfaqet për shkak të parametrave teknikë, sepse nga pikëpamja e tematikës që trajton, problemeve është me interes për festivalin, por festivali ka disa kushte që nuk mund të dalim prej tyre. Pas 30 vitesh afro të sjellë në kujtimet e së shkuarës, ishte fundi i një kohe, fillimi i një kohe të rej, filmi jep një mesazh human, një mesazh për lirinë, ka karakter simbiotik, si film trajton personalitetin njerëzor në shumë dimensione dhe një nga kryesoret është ajo që është më e rëndësishmja, liria. Liria e personalitetit njerëzor, liria e individit në një shoqëri diktatoriale. Filmi është kundër çdo lloj diktature, jo vetëm diktaturës komuniste. Është një film antikomunist, ngjarje që ndodhin në të janë troshitëse, vrasëse, tronditëse”, shprehet aktori i madh shqiptar.
Ai rrëfeu dhe lidhjen emocionale me rolin e tij në këtë film, duke treguar se xhaxhai i tij ka vdekur në burg dhe se ky film ishte dhe një homazh për të.
“Unë kur e mora personazhin, pata dhe një emotiv personal.
Kisha në familjen tonë…më ndodhi një dramë e tillë, xhaxhai im u burgos. Ai kishte marrë për grua një serbe si origjinë, ishte profesor i shquar dhe brezat e mbanin mend, emri i tij ishte Kostandin Flloko. Ai u arrestua në vitin 1979 dhe vdiq në burg në 1984. Unë nuk kam bërë asgjë për xhaxhain tim, nuk i shkova asnjëherë në burg, sepse ashtu ishte koha.
Frika ishte njëra anë sigurisht, çdokush kishte një stepje në këtë sens. Diheshin, nuk ka nevojë për komente në ato kohë se ç’ishin pasojat. Doja ta luaja këtë rol, ishte një homazh për xhaxhain tim dhe për të gjithë ata njerëz që vuajtën torturat e diktaturës”, tha Flloko.
Ai tha se sigurisht, nuk vuanin vetëm ata që u burgosën, se tek e fundit, erdhi një moment që ata morën një vendim dhe sigurisht njerëz të fortë e përballuan burgun dhe të gjitha ato tmerre, por e gjithë Shqipëria ishte një burg.
“Askush nuk qe i lirë në kuptimin themelor të fjalës. Sigurisht nuk ka liri të pakufizuar, por ka një liri të privuar. Në 30 vite të kombit, në histori 30 vite nuk janë shumë. Ka gjëra që nuk ecin, por ama që të burgoset njeriu për idetë, për mendimet e tij të shkojë në burg, si historia e filmit, se ngriti zërin për një padrejtësi dhe duhet ta pësonte dhe i zoti i kalit dhe kali vetë. Po me kalin ç’patën, që e vranë sepse ai kalë ishte një kalë i veçantë, por meqë ai kishte damkën e të qenit kalë i një puçisti…
Unë them që jemi të lirë në substancë, lirinë nuk ta merr dot kush. Unë mund të mos jem dakord me një gjë, me një tjetër, mund ta shpreh, mund të mos jem dakord me pushtetin në një moment të caktuar, me një parti në një moment të caktuar, domethënë kur vjen në pushtet, sigurisht nuk ka asgjë perfekte tek ne, absolutisht jo, probleme ka, korrupsion ka, probleme që janë serioze dhe që ne si shoqëri duhet të mbajmë ato qëndrimet tona. Në procesin e zhvillimit dhe të ecurisë së jetës sonë këto dalin. Ky lloj aktualiteti është gjithmonë në luftë dhe në përmirësim”, deklaroi ai.
Po pse vdekja e kalit përjetohet edhe sot me të njëjtat emocione?
“Drama e njeriut, individit në një shoqëri diktatoriale është një dramë universale. Pse drama e ‘Doktor Zhivagos’ është e përjetshme, e përhershme përderisa ekzistojnë diktaturat. Ajo nuk ka kohë, edhe ‘Vdekja e Kalit’ është një ‘Doktor Zhivago’ i vogël, në miniaturë, por në thelb janë njëlloj. Sigurisht egërsinë e diktaturës komuniste nuk e kanë pasur këto diktaturat e tjera në kuptimin krahasues në një sens. Ka pasur dhe diktatura të djathta, ka qenë e rreptë e kriminale, etj.etj., por për idetë, për fjalët nuk ka qenë dhe aq siç ka qenë diktatura komuniste tek ne, në versionin shqiptar”, tha aktori