Aktori turk Serhat Mustafa Kılıç, është gjetur i pajetë në banesën e tij në Stamboll rreth orës 17:00 të së shtunës, 5 shtator 2026.
51-vjeçari, njihet për publikun shqiptar nga seriali i famshëm “Ezel”, i cili është transmetuar më herët në Tv Klan dhe që arriti rekorde shikueshmërie.
Por jo vetëm kaq! Ai ka luajtur edhe në serialin e famshëm “Osmani”…
Për vdekjen e tij kanë nisur hetime, ndërsa në dosjen e çështjes është përfshirë edhe dëshmia e të dashurës së tij, Özlem E., me të cilën ai ishte në një lidhje prej rreth 8 vitesh. Sipas dëshmisë së saj, dy ditë para se të gjendej i pajetë, Kılıç nuk kishte shkuar në një xhirim për shkak të dhimbjeve të forta nga hernia diskale në qafë.
Ai i kishte thënë se kishte marrë shumë ilaçe, por dhimbjet nuk i ishin qetësuar dhe se po vuante shumë.
Më vonë, po atë ditë, aktori e kishte telefonuar duke i thënë se ishte larguar nga seti.
“Jam i mërzitur dhe nuk dua të takoj askënd”, mësohet t’i ketë thënë ai partneres. Pas kësaj, Kılıç nuk iu përgjigj më telefonatave dhe mesazheve të saj.
Më 5 shtator, kur telefoni i tij rezultoi i fikur, Özlem E. shkoi në banesën e tij në Nurtepe me çelësin rezervë. Ajo e gjeti aktorin të pajetë në sallon dhe njoftoi menjëherë familjarët dhe urgjencën.
Sipas dëshmisë së saj, Kılıç vuante nga tensioni i lartë, gastriti dhe hernia diskale në qafë. Sipas saj, aktori nuk kishte probleme me varësinë nga alkooli apo substancat narkotike.
Shkaku i saktë i vdekjes ende nuk është bërë i ditur.


