Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka treguar prioritetet e tij në krye të PS për Tiranën ku ditën e sotme ka marrë besimin për ta drejtuar. Në një intervistë për Top News, Veliaj bëri të ditur se një prej tyre lidhej dhe me plotësimit e vakumit të disa deputetëve socialistë që nga Tirana janë dërguar drejtues politik nëpër qarqe të ndryshme të vendit. “Ne kemi marrë disa vendime për të mbuluar vakumin e disa kolegëve që nga Tirana janë dërguar për të qenë drejtues të qarqeve. Arben Ahmetaj ka qenë dpeuteti i njësisë 4, ndërkohë që është me kohë të plotë i deleguar në Vlorë. Elisa Spiropali deputete e Kamzës është me kohë të plotë e deleguar në Kukës dhe Ulsi Manja deputet i Njësisë nr. 11 është me kohë të plotë i deleguar në Qarkun e Dibrës. Na u desh që ashtu si një skuadër që duhet të bëjë zëvendësimet e veta, të bënim zëvendësimet tona. Lindita Nikolla, kryetarja jonë e mrekullueshme e Kuvendit do të jetë ajo që do të mbulojë Kamzën dhe do i bashkohet skuadrës sime në Tiranë.
Deputeti Paulin Sterkaj do të jetë ai që do të zëvendësojë Ulsiun për të mbuluar gjithë zonën e Laprakës, njësinë nr 11, njësi e stërmadhe hyrja kryesore e Tiranës nga Veriu dhe nga Perëndimi.
Ndërkohë kemi Blerina Gjylametin e cila do të rikthehet në njësinë nr 4 ku ka shërbyer për pak kohë si përfaqësuese për të zëvendësuar Benin që është me kohë të plotë, i dërguar në qarkun e Vlorës.
Ndërkohë që do të angazhojmë dhe disa nga ministrat e rinj, Delina Ibrahimi, ministrja jonë e Financave do të mbulojë njësinë 5, aty ku tashmë ka qenë aktiviste e PS e deleguar dhe në zona më të vogla. Ministrja jonë e bujqësisë edhe për efektin dhe për gjithë ngarkesën që ka territori rural i Tiranës, ku ne po përgatitemi për qendrën më të madhe të agrobiznesit në zonën e Mulletit dhe të Farkës, do të mbulohet nga Frida Krifca”, nënvizoi ai.
Kreu i Bashkisë tha se menjëherë do të nisë puna dhe për analizën e rezultatit të zgjedhjeve me qëllim përgatitjen e PS për zgjedhjet e ardhshme. “Është një riorganizim i skuadrës sonë politike dhe ne menjëherë do të fillojmë me një analizë. Ne vërtet fituam, por jo në mënyrë të njëtrajtshme. Në disa vende fituam shumë mire, në disa nuk u arrit pritshmëria pavarësisht se në totalin e vet Tirana prodhoi 27 mijë vota më shumë dhe ndoshta rezultatin më të madh historik. Ka gjithmonë gjëra që mund të bëhen më mirë. Për gjithë këto arsye ne do të kalojmë në një skaner të gjithë rezultatin, të shikojmë kush ishin ata që performuan më mirë dhe cila strategji funksionoi. Ne garën e kemi me ambiciet që populli i Tiranës dhe i Shqipërisë ka me ne. Ne jemi në garë për të arritur këto ambicie dhe jo për t’u krahasuar me ata që ka kohë që i kemi lënë pas”, deklaroi Veliaj.
