Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka qenë i ftuar në Roterdam në takimin e arkitektëve dhe urbanistëve. Ai u bë pjesë e diskutimeve, dhe prezantoi disa nga sfidat me të cilat u përball qyteti dhe bashkia në menaxhimin e politikave të strehimit.
Ai theksoi se takime të tilla, ku Tirana prezantohet me arritjet e saj pozitive në fusha si arkitektura dhe urbanistika, janë një mënyrë e mirë për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë, sidomos në vende skeptike si Holanda.
“Është posaçërisht kënaqësi kur e bëjmë këtë në Holandë, një vend që duhet ta pranojmë, është skeptik, ka nevojë për më shumë informacion, ka nevojë të kuptojë se Shqipëria është një vend evropian, dhe rreziku nuk vjen nga Shqipëria e vogël kur sheh gjithë këto transformime. Bëhet sfidë komunikimi i historisë së suksesit të Shqipërisë në Holandë, sidomos kur kemi një pjesë të politikës që ka lidhje me Holandën dhe që mundohet që sherret, mëritë, zemëratën, e debatet e Shqipërisë t’i kalojë edhe në Holandë. Do të doja që të ishim një ‘antidot’ dhe do të jemi më të pranishëm në Holandë me takime të tilla, për t’u siguruar që dëgjohet e gjithë historia”, shtoi kryebashkiaku.
Veliaj theksoi se është e rëndësishme që politikanë të ndryshëm të Shqipërisë t’i shfrytëzojnë njohjet e tyre me vendet e europiane, në rastin konkret me Holandën, për të prezantuar vendin tonë si një vend proeuropian dhe të mos bëjnë politika që dëmtojnë mbi të gjitha interesat e qytetarëve shqiptarë.
“E kuptoj që lidhjen me Holandën dhe njohjen që kanë me politikën këtu, disa politikanë e përdorin jo si një mundësi për ta ngritur lart Shqipërinë, por si mundësi për ta sharë, fyer e denigruar atë, por kjo duhet të marrë fund. Ndaj, besoj se si qytet, si histori suksesi e Tiranës, platforma të tilla të arkitekturës dhe urbanistikës janë një mundësi fantastike për të rrëfyer historinë e Shqipërisë”, shtoi ai.
Kryebashkiaku tha se është shumë e rëndësishme që e gjithë klasa politike të bashkohet dhe të mendojë më shumë për interesat e vendit se sa për interesat e ngushta të politikës së ditës.