Çdo projekt që ka sjellë ndryshim të prekshëm në Tiranë është kundërshtuar vetëm nga një minorancë e vogël thotë kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Por, ashtu si te kendi i lojërave te Parku i Liqenit, ai tha se edhe projekti i Teatrit të Ri Kombëtar do jetë një histori suksesi.
“Për çdo projekt, ka pasur një pakicë që ka kundërshtuar gjithçka. Mbaj mend që e filluam me protestuesit e këndit të lodrave, me një President Republike, kurse sot vazhdojnë prap të njëjtët protestues me një President tjetër. Pra, është një lojë e vazhdueshme. Në të gjitha vendet e botës ka kryetarë bashkie që ëndërrojnë të bëhen një ditë Presidentë, ndërkohë në Shqipëri presidentët ëndërrojnë të bëhen drejtorë komunaleje. Kjo është një nga ato çudirat shqiptare që nuk na ndahet”, u shpreh Veliaj.
Më tej, ai shtoi se kreu i PD, Lulzim Basha, nuk ofron asnjë garanci se do mund të bëjë më shumë se mazhoranca aktuale për komunitetin e artistëve, për sa kohë që kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, nuk bëri as rrugët e lagjes së tij në Njësinë 8.
“Lul Basha ka qenë banor i kësaj lagjeje; jo vetëm që nuk hodhi një pikë asfalt në rrugën para shtëpisë së tij, që ka qenë në zemër të Tiranës, por bregun e Lumit as nuk e dinte ku binte. Ndaj, kur s’ke bërë asgjë, kur s’ke për të fituar asnjëherë dhe kur s’ke për të qeverisur ndonjëherë, e ke kollaj të premtosh për gjëra që s’ke shans t’i bësh kurrë. Ne nuk kemi asnjë garanci që ai do të vijë në zgjedhjet e tjera. Prandaj, dikush që s’ka asgjë mund të premtojë gjithë botën, kurse dikush që ka çfarë të kontribuojë, sigurisht, matet çfarë premton sepse e di që do të zgjidhet, e di që do të fitojë, e di që do të duhet pastaj të qeverisë dhe e di që do të duhet të mbajë premtimet”, u shpreh Veliaj.
Mandej, kryebashkiaku propozoi që nëse PD-ja ka dëshirë të kontribuojë vërtet për aktorët dhe artistët, le të lirojë godinën e SHQUP-it dhe ta bëjë zyra e sallë shfaqjesh.
