Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se dy kolegët inxhinierë të bashkisë, u vetëofruan për të sqaruar pozicionin e tyre për inceneratorin, pa iu shmangur drejtësisë siç po bën Sali Berisha prej disa javësh. Në intervistën me Sokol Ballën, ai tha se dy inxhinierët kanë treguar një dozë të lartë integriteti dhe janë aty për të sqaruar rolin e tyre në komision.
“Kur një njeri, që vrau 4 vetë në Bulevard, ku isha edhe vetë protestues, mund të ishte secili prej nesh, i s’përdridhet drejtësisë, sigurisht që kjo të revolton. Dhe kur shikon që dy inxhinierë të bashkisë, të cilët sa dëgjojnë lajmet shkojnë vetë në komisariat… po kjo s’ka të bëjë me sistemin, por me karakterin.
Kolegët e mi janë disa herë më shumë burra se sa një një plak lepur, që vrapon sa herë i vjen drejtësia vërdallë. Ky është turp për Saliun, mënyra se si largohet, si skile, çdo proçesi që degradon personalitetin e tij në fund të jetës e do të mbahet mend gjithmonë si një frikacak që çan ferrën bashkë me të tjerët.
Për dy kolegët, unë besoj se është një argument për gjykatën, se dy njerëz që ofrohen vetë ende pa dalë masa, tregon që jo vetëm s’kanë ndërmend të ikin, por kanë edhe burrërinë të përballen dhe të thonë: “Po more, nga ky komision me 7 anëtarë, ky ishte roli ynë!”.
Ata nuk po akuzohen as për korrupsion, por për mënyrën se si kanë performuar në një komision. E megjithatë, nuk është roli im të gjykoj prokurorin dhe gjykatat. Roli im si autoritet është që, jo vetëm të ofroj të gjitha dokumentat, po të inkurajoj këdo që t’i përgjigjet drejtësisë.
Dy inxhinierët e Bashkisë kanë treguar një dozë shumë të lartë integriteti dhe burrërie duke shkuar vetë dhe duke u vetëofruar, siç ata kanë shkuar sa herë që janë thirrur, dhe jo si dikush që, edhe pse ka drejtuar vendin, ende sot si skile mundohet t’i largohet drejtësisë. Ky është turpi i Saliut e nder për inxhinierët”, tha Veliaj.