Mimoza Hamidi, e lindur në Preshevë, edhe pse u kërkua nga Kombëtarja e Zvicrës, vend në të cilin jeton, zgjodhi të përfaqësojë Shqipërinë.
Futbollistja e Basek tha se e ka thirrur gjaku shqiptar.
“Ata në Zvicër janë sjellë shumë mirë me mua. Kam pasur shanse të mëdha të luaja, por jam menduar mirë dhe kam ecur me shprehjen që vendi i huaj nuk bëhet kurrë i yti. Më ka thirrur gjaku shqiptar”, deklaron ajo.
Kur ka qenë më e vogël, i është dukur intriguese Kombëtarja e Zvicrës. Në rrëfimin e saj, ajo tregon se ka qenë pjesë e disa seleksionimeve të zhvilluara nga përfaqësuesja zvicerane si dhe ka qenë pjesë e ekipeve zinxhir të moshave.
Kur në 2017, Kombëtarja shqiptare e ftoi të ishte pjesë e ekipit kuqezi, ajo nuk pranoi në mënyrë direkte. Ishte mes dy zgjedhjeve, vendi ku kishte lindur, apo vendi ku ishte rritur: “Kam qenë gjithmonë tifoze e Shqipërisë, që prej momentit kur kam filluar të luaj futboll. Jo vetëm unë, por të gjithë si familje. Vjen ndoshta edhe nga fakti se jemi shumë patriotë. Edhe kur e vesh fanellën kuqezi, e kuptoj rëndësinë që ka. Është e rëndë për mua, por mundohem që ta mbaj sa më lart dhe uroj të shënoj sa më shumë gola”.