Menjëherë pas zgjedhjeve të 30 qershorit, PS ka filluar punën për një riorganizim të ri të sturkturave të saj. Paralelisht, me marrjen e drejtimit edhe të bashkive që deri dje drejtoheshin nga të djathtët, PS ka rishikuar edhe mënyrën e monitorimit të punës së bërë nga drejtuesit lokalë në të gjithë vendit.
Për këtë arsye, kryesocialisti Edi Rama bëri me dije në mbledhjen e sotme të Kryesisë së PS edhe ndarjen e vendit në tre rajone të mëdha, ku janë të përfshira të 12 qarqet e vendit, shkruan Javanews.
Edi Rama do të drejtojë rajonin Lezhë-Shkodër-Dibër-Kukës. Sikurse pritej, Shqipëria e Mesme dhe Juglindja i është besuar Taulant Ballës. Numri dy i PS do të koordinojë qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë.
Ndonëse është tërhequr duke u fokusuar në detyrën e tij si Kryetar Kuvendi, Rama ka vendosur për jugun një figurë të fuqishme në PS sikurse është Gramoz Ruçi. Ky i fundit do të jetë koordinatori rajonal i Fierit, Beratit, Vlorës dhe Gjirokastrës.
Ndërkaq, më 22 korrik pritet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. / tirananews.al