Pastori i Kishës Ungjillore Akil Pano ka deklaruar se në Shqipëri ekziston Kisha Satanike, që ka si bazë adhurimin e Djallit, dhe mendon se është pikërisht ky sekt që fshihet pas tragjedisë së Kombinatit, të vetëflijimit nënë e bijë. Pano tha “individët me kostum” që janë parë të hynë në shtëpinë e familjes Josifi mund të jenë pjesë e tyre, por mbetet në dorë të hetimeve për të zbardhur të vërtetën e plotë.
“Ka sekte satanike dhe në Shqipëri dhe janë sekte të mirëorganizuara dhe ka edhe Kisha e Satanit dhe ka individë që priren të besojnë në pushtetin e errësirës dhe në rrugëtimin e tyre janë gati të jetë shërbëtorë të devotshëm të asaj dogme. Ka edhe në vendin tonë, ka edhe sekte dhe kulte që nuk janë njohur zyrtarisht dhe veprimtarinë e tyre e kanë të fshehtë dhe është e pamundur që të shkohet përtej. Janë dhënë informacione se ka pasur individë me kostum që kanë hyrë në shtëpinë e tyre vetëm të presim që këto të vërteta të zbardhen. (…)Kemi të bëjmë me praktika okulte demonizimi, praktika që na fusin brenda një bote shumë të errët që është vështirë për një person normal që të hyjë në këtë botë”, tha Pano.
Por çfarë është Satanizmi? Satanizmi është një kult që ka si bazë adhurimin e Djallit apo të ndonjë fuqie negative të mbinatyrshme. Për satanistët jeta duhet jetuar duke i shërbyer Djallit. Sipas disa sociologëve, satanizmi nuk mund te konsiderohet si fe sepse në thelbin e tij qëndron fakti i të qenurit kundër kristianizmit. Përpjekjet për ta bërë satanizmin fe nuk kanë rezultuar kurrë të suksesshme. Organizata më e njohur qe i përket kësaj ndarje quhet “Tempulli i Set” (“Temple of Seth”) dhe është themeluar nga Michael Aquino dhe disa anëtarë të tjerë të Kishës së Djallit.
