Banorët e disa pallateve në kryeqytet ishin ankuar se u ishin vjedhur antenat e transmetimit tokësore dhe satelitor, duke vënë në lëvizje policinë për kapjen e autorëve. Pasi janë kqyrur pamjet filmike të pallateve, policia ra në gjurmët e një 50-vjeçari të cilin e kishin mbajtur në vëzhgim.
Hetimet identifikuan dhe personat që kishin përvetsuar sendet e vjedhura nga A.H, të cilët do të hetohen në gjendje të lirë për “Pervetesimi i parave ose mallrave qe rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.
Ndërkaq, dy persona të tjerë janë arrestuar pasi kishin vjedhur në magazinën e një rrobaqepësie. Policia ra në gjurmët e tyre pas denoncimit nga ana e administratorit.
NJOFTIMI I POLICISE
Vihen në pranga tre shtetas për vjedhje dhe procedohen penalisht dy të tjerë për përvetësim të mallrave të vjedhura.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, pas denoncimit të marrë nga qytetarët, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i bashkëpunimit me komunitetin dhe këqyrjes së pamjeve filmike është bërë i mundur identifikimi i autorit të vjedhjes në mënyrë të përsëritur të aparaturave të shpërndarjes së sinjalit televiziv tokësor dhe satelitor, në një kompleks pallatesh, në zonën e 21 dhjetorit.
Autori i dyshuar, shtetasi A. H., 50 vjeç është mbajtur nën vëzhgim dhe është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë duke vjedhur përsëri aparaturat e shpërndarjes së sinjalit televiziv.
Si rezultat i veprimeve të kryera, janë identifikuar edhe personat që kishin përvetësuar sendet e vjedhura nga ky shtetas, konkretisht shtetasit Sh. Xh. e P. D., banues në Tiranë, të cilët janë proceduar në gjendje të lirë për “Pervetesimi i parave ose mallrave qe rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.
Po nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas njoftimit të marrë nga administratori i një magazine private janë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasit E. D., 50 vjeç dhe L. D., 40 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Në rrugën “Shefqet Musaraj” këta shtetas janë kapur në kushtet e flagrancës duke vjedhur në magazinën e një rrobaqepsise.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja në bashkëpunim”.
