Mëngjesin e kësaj të premteje kryeministri Edi Rama, e ka nisur me pamje nga “Maldivet” e Divjakës. Teksa e cilëson si pamje mahnitëse, kreu i qeverisë fton pushuesit dhe turistët të vizitojnë parkun kombëtar të Divjakës. “MIRËMËNGJES dhe me këtë pamje mahnitëse, që nuk është as nga plazhet e famshme të Maldiveve e as ato të Mauritius, po nga Divjaka jonë, ju uroj një ditë të mbarë“,-shkruan Rama.
Bashkia e Divjakës gjatë sezonit turistik ofron një guidë prej 5 km në Parkun e Divjakës, ku vizitorët njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut. Vrojtimi nga kulla panoramike kur qielli është i kthjellët shkon edhe më thellë deri në Malin e Tomorrit.
Kulla panoramike, varkat për të shëtitur vijën ujore përgjatë gjithë parkut, pylli i gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar. Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në vijën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.
