Në prangat e Policisë së Shkodrës ka rënë një 37 vjeçar, pasi akuzohet për kultivim kanabisi. Xh.B, së bashku me një 55 vjeçar i cili është arrestuar më herët, dënohen për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë. Policia gjatë një operacioni me dronë gjetën 2150 fidanë narkotikë kanabisi në kubikë, në territoret e fshatrave Luarzë dhe Reç, anës lumit Buna, ku bënë të mundur edhe kapjen në flagrancë të autorit të parë.
Forcat e policisë e kanë lokalizuar të shpallurin në kërkim, banues në fshatin Luarzë, Velipojë, në banesën e së motrës, në fshatin Grizhë, Malësi e Madhe. Sipas policisë, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
“Velipojë, Shkodër Vijon operacioni policor antikanabis, i koduar “Njësia”, në funksion të parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike, që në fazë përgatitore. Kapet dhe vihet në pranga autori i dytë i dyshuar i kultivimit në kubikë, të 2150 fidanëve narkotikë kanabisi, në territoret e fshatrave Luarzë dhe Reç, anës lumit Buna. Më herët, si rezultat i këtij operacioni, gjatë të cilit u përdorën edhe dronë, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga një 55-vjecar, njëri nga autorët e dyshuar të këtij rasti kultivimi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me ato të Stacionit të Policisë Velipojë, në vijim të operacionit policor të koduar “Njësia”, me mbështetjen e inteligjencës informative, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, kanë lokalizuar në banesën e së motrës, në fshatin Grizhë, Malësi e Madhe, dhe kapur shtetasin e shpallur në kërkim Xh. B., 37 vjeç, banues në fshatin Luarzë, Velipojë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi dyshohet si autor i kultivimit të 2150 fidanëve narkotikë kanabisi, të cilët u gjetën në kubikë, anës lumit Buna, në territoret e fshatrave Luarzë dhe Reç. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas njoftimit të policisë.
