Mihal Hobdari është një mekanik i vjetër që mbart mbi supe mbi 50 vjet “punë me hekura”, siç thonë zanatçinjtë e vjetër.
Si çdo mekanik, edhe ai ka pasur një makinë ëndërr dhe që mundi ta realizonte pasi mbushi 50 vjeç.
Në një rrëfim për retro.al, Hobdari tregon se ka marrë edhe titullin mjeshtër. Ai rrëfen se gjatë punës së tij i është dashur të ndryshojë edhe makinat. “Kam ndryshuar kamionin, Gaz i ’51 siç ishte makinë ushtarake e ktheva në kamion normal. E bëra makinë të re krejt tjetër, me fletë llamarine me gjithë një shokun tim, llamarinist”, thotë Mihali.
Ai ka qenë mjaft i apasionuar pas makinave ku rrëfen se bënte edhe modele me plastelinë. “Kam qenë shumë i apasionuar pas mjeteve dhe kam pas bërë edhe modele me plastelinë me gjëra që mund të bëja duke përfytyruar mjetin”, thotë ai.
Ëndrra e tij ishte Opel Ascona e viteve ’70- ’80, që për Mihalin ngjasonte disi me Ford Mustang të viteve ’70, që ishte ëndërr për këdo në atë kohë. Por Opelin, dashurinë e tij shumëvjeçare mundi ta merrte vetëm pasi mbushi 50 vjeç, gjatë kohës që ishte në Itali. “Në demokraci ika jashtë vendit në Itali, u mora me makinën dhe u ktheva në ’99. E kisha një ëndërr 50-vjeçare kur mora makinën dhe e realizova pasi u bëra 50 vjeç kisha një makinë timen. E dashuroja shumë këtë makinë”, thotë ai.