SPAK-u dhe Policia e Shtetit po zhvillojnë një operacion për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal në disa qytete. Po ekzekutohen disa urdhërarreste të kërkuara nga Prokuroria e Posaçme.
Në pranga kanë rënë: Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku që i shpëtoi një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në Durrës, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija. Mes personave të shpallur në kërkim janë Julian Meçaj, Plaurent Dervishaj që dyshohet se ndodhet në Dubai dhe Ramazan Rraja, i cili nuk ndodhej në shtëpi ditën e djeshme kur u ushtrua kontroll.
Gjykata e Posaçme ka nxjerrë edhe urdhërarresti për Plaurent Dervishajn, i cili ndodhet në Dubai, si edhe për Julian Meçen. Dervishaj është pjesë e grupit të personave që akuzohen për vrasjen e Klodian Saliut në 25 shkurt 2005 në Durrës. Dervishaj u arrestua në Dubai në 2021, por u la i lirë, edhe pse autoritetet e drejtësisë kishin nisur procedurat për ekstradimin e tij për shkak të vonesës në mbërritjen e letërporosisë në Dubai nga Shqipëria.
SPAK vijon hetimet për dy ngjarjet e bujshme, vrasjen e Klodjan Saliut dhe Vajdin Lames në Tiranë. Për këto ngjarje, më 15 janar 2021, u ekstradua nga Kosova në Tiranë, Indrit Taullai, ndërsa vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar Lulzim Berisha. Momentalisht, në burg për dy ngjarjet janë Emiljano Shullazi, Indrit Rusi, Viktor Ymeri dhe i penduari Luftar Reçi.
Dy ngjarjet kriminale të zbardhura nga SPAK kanë ndodhur shkurtin e vitit 2005. Mbrëmjen e 26 shkurtit Klodian Saliu po udhëtonte në një automjet tip “Mercedes” në aksin Durrës-Maminas, kur nga një automjet në lëvizje u qëllua me breshëri automatike. Saliu u vra, ndërsa u plagos edhe një person tjetër. 24 orë me vonë, biznesmeni Vajdin Lame u vra nga një shpërthimi telekomanduar i një sasie tritoli të vendosur në ashensorin e pallatit të tij pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Përveç tij, i vrarë mbeti edhe Artan Arsi.
Atentati ndaj prokurorit Ndoja
Në vitin 2019 një atentat iu bë ndaj ish- prokurorit Arjan Ndoja, Ngjarja ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes Prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i “forti i Sukthit”, Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.
Makina “Benz” me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurorit Ndoja, iu bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Pas breshërisë së tetë plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private.
Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30-vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t’i mbijetonte plagëve. Nën akuzë për atentatin ndaj Ndojës janë Redjan Rraja dhe Ariol Halili.