Banorët e tre kullave në Durrës kundërshtojnë planet e ndërtuesve për meremetim, ndërsa dëshmojnë se tërmeti i 26 nëntorit vetëm sa nxori në sipërfaqe cilësinë e keqe të ndërtimit dhe problemet e theksuara strukturore-që sollën çedimin e pallateve të tyre njësoj si kulla e pjerrët e Pizës.
Bashkim Xhika e bleu apartamentin e tij prej 86 metrash katrorë në pallatin e firmës Ndregjoni në rrugën “Stefan Dhima” në Durrës me sterlina. Me origjinë nga fshati Fushë Çidhën në Dibër, Xhika ka punuar për 17 vjet si emigrant në Mbretërinë e Bashkuar dhe për shkak të një sëmundjeje profesionale, ka dalë në pension të parakohshëm.
“Punoja në një frigorifer -20 gradë Celsius dhe për 2 vite qëndrova në spital, operova shpatullat,” rrëfen 60-vjeçari.
Pallati ku ai banonte u ndërtua përmes një lejeje ndërtimi të lëshuar në vitin 2011 nga Bashkia e Durrësit për një godinë me 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë. Por ndërtesa u realizua me 2 kate shtesë nga ndërtuesi. Pallati ka 42 apartamente dhe para tërmetit të 26 nëntorit jetonin 40 familje. Sipas Bashkimit, edhe pse leja e ndërtimit është marrë nga firma Ndregjoni, pallati është ndërtuar sërish nga firma Kastrati.
“Këtu ka vetëm 1 emër, por që të mos dilte në skenë Kastrati, në tabelë u vendos emri i kompanisë Ndergjoni,” tha Xhika. “Në atë kohë që kishte shumë biznese e merr si leje “Ndergjoni” dhe ia ka blerë me noteri “Kastrati”, pa filluar punë fare,” nënvizoi ai, duke shtuar se ai vetë ia kishte blerë apartamentin Kastratit me noteri.
Xhika i tha BIRN se e ka blerë apartamentin në ndërtim e sipër nga sipërmarrësi Bilbil Kastrati. Ai kishte dhënë kaparin edhe për një dyqan, por kur u kthye nga emigrimi në mars 2018, vuri re se pallati kishte çeduar, ishte anuar në njërën anë dhe bëri kallëzim në polici.
“Kur shkova në polici, më ndihmuan edhe banorët,” kujton Xhika. “Bëra denoncimin me pretendimin se pallati ka çeduar në njërin krah dhe unë nuk lejoj të bëhet asnjë punim këtu,” shpjegoi ai, ndërsa shtoi se “nuk di të ketë nisur hetim prokuroria në atë kohë.”
Si shumë ndërtesa në Durrës, pas tërmetit të 26 nëntorit pallati ka mure të plasaritura, por nuk janë plasaritjet ato që e shqetësojnë Bashkim Xhikën. Sipas disa matjeve topografike që Xhika pretendon se janë bërë nga bashkia e Durrësit pas tërmetit, ndërtesa ka çeduar – në veri me 40 centimetra deri në 7 kate, ndërkohë me 53 centimetra ka çeduar për të gjitha katet.
“Kanë plasur muret, por kjo është e arsyeshme. I paarsyeshëm është çedimi i pallatit, që do të thotë se plateja e tij ka lëvizur,” shpjegoi Xhika. “Mospilotimi dhe mbingarkesa janë dy gjërat kryesore pse ka ikur pallati me një krah edhe tani e kupton se hapet dera vetë, se është dishezë,” shtoi ai.
Dy ditë pas tërmetit të 26 nëntorit, Xhika i është drejtuar përsëri policisë për të bërë kallëzim ndaj firmës ndërtuese, po e përzunë duke i thënë se nuk lejohen denoncimet. Ai thotë se në Prokurorinë e Durrësit nuk e futën as brenda në ndërtesë.
Xhika kujton se iu ankua një gazetari të RTSH-së, se nuk i merrnin denoncimin dhe ai foli me kryeprokuroren, e cila i tha të rikthehej dhe të bënte denoncimin në organin e akuzës.
“U detyruan ta marrin denoncimin, kallëzimin për çedimin – është referuar në prokurori,” tha Xhika. Megjithatë, edhe pse arriti ta bënte kallëzimin, Xhika u dëshpërua kur pa që oficerja e policisë gjyqësore, Emiljana Mema – e ngarkuar të bënte hetimet, kishte një marrëdhënie të ngushtë me punonjësit e firmës së ndërtimit të pallatit. Duke e vënë re këtë marrëdhënie, Xhika iu ankua Memës, por ajo ia preu shkurt dhe sipas tij – shkoi të pinte kafe me punonjësit e kompanisë.
“Mos përhapni panik tha – se pallati është një nga më të mirët në Durrës,” kujton Xhika t’i ketë thënë oficerja e policisë gjyqësore. “Ajo na bën presion psikologjik, ekonomik dhe fizik që ne të ndryshojmë drejtimin, që të tërheqim denoncimin,” shtoi ai.
Xhika ankohet se edhe prokurorja e çështjes nuk ka shprehur ndonjë interes për hetimin.
“Ata vijnë për të tërhequr denoncimin, jo për të bërë veprimet ndaj pallatit,” tha 60-vjeçari. “Tani edhe prokurorja e çështjes po mundohet ta largojë problemin,” shtoi ai.
Xhika pretendon se oferta dhe kërkesa për të tërhequr denoncimin ka marrë nga shumë njerëz, përfshi juristin e kompanisë “Kastrati” dhe nga vetë Bilbil Kastrati.
“Mua m’i kanë ofruar lekët e mia, por unë nuk kam si t’ia bëj komshinjve,” tha ai. “Që të tërhiqja denoncimin, 16 vetë më kanë ardhur,” shtoi Xhika.
Prokuroria e Durrësit nuk i përgjigj një kërkese për koment mbi akuzat e Z. Bashkim Xhika. Sot 60-vjeçari jeton me qira, pasi apartamenti i tij është dëmtuar rëndë gjatë tërmetit.
“Të gjitha mobiljet, vetëm dhoma ime ka shpëtuar, të tjerat janë dëmtuar të gjitha. Plus asaj, edhe dritarja ka pas ngelur e varur dhe e kam hequr vetë, që të mos i bjeri ndonjërit në kokë dhe të mos krijojë ndonjë aksident,” tregon ai.
“Gjithçka ka rënë në tokë, se i kam pas montuar nga dyshemeja në tavan, që të mos i lëviz më kurrë. Por erdhi puna që këto u lëvizën,” shtoi ai.
Sipas Bashkim Xhikës, kompania është ofruar të meremetojë muraturat e plasaritura, por jo çedimin e pallatit, që sipas tij “ka ikur në plate, ka çeduar dhe nuk ka rregullim në asnjë vend të botës.”
“Kompania tha mos përhapni panik, do rregullojmë tullat,” kujton Xhika, por shton se banorët e hodhën poshtë ofertën. “Ne kërkojmë të prishet pallati dhe të ndërtohet po këtu me pilota, se shtëpinë e blemë këtu,” përfundoi ai. / BIRN
